Historike: Kosova në Botëror

  • 15 April 2019 - 10:16
Historike: Kosova në Botëror

Juniorët e Kosovës kualifikohen në Botërorin që mbahet në Spanjë

Kosova U-21 ka shkruar historinë në hendboll dhe sportin kosovar, duke u kualifikuar për herë të parë në një Kampionat Botëror. Në finalen e zhvilluar në Prishtinë triumfuan me rezultat 30:26 ndaj Taipeit Kinez. Kjo është hera e parë që një ekip në sportet kolektive kualifikohet në Botëror

Kosova në hendboll për grupmoshat U21 ka shënuar fitore në finale ndaj Taipeit Kinez për tu shpallur kampion në “IHF Trophy Intercontinental”. Në përballjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, Kosova shënoi fitore ndaj Taipeit Kinez me rezultatin 30:26. Kosova ka dominuar gjatë gjithë ndeshjes dhe me meritë arriti të fitojë medaljen e artë dhe të arrijë një sukses të madh në sportin kosovar.

Kosova kishte epërsi në pjesën e parë deri në tetë gola dhe dukej si një fitore rutinore dhe e thjeshtë, megjithatë, pjesa e parë përfundoi 12:10 për Kosovën. Mysafirët ngushtuan epërsinë në 12:11, në fillim të pjesës së dytë, por këtu përfundoi gjithçka. “Dardanët” kishin epërsi deri në shtatë gola, 20:13, derisa në fund fitoi me plotë meritë 30:26. Kosova me këtë fitore ka shënuar edhe histori të re për sportin e Kosovës, pasi që deri më tani asnjë ekip kombëtar i Kosovës nuk është paraqitur në ndonjë Kampionat Botëror. Me këtë fitore, Kosova ka siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e juniorëve që mbahet gjatë verës në Spanjë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fituar vendin e tretë në ndeshjen “IHF Trophy Intercontinental” në grupmoshën U21. SHBA ka mposhtur Paraguain me rezultat 34:36, në vazhdime pasi që paraprakisht loja në minutat e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë, 30:30. SHBA ishte në epërsi ndaj Paraguait edhe gjatë pjesës së parë me rezultat, 17:12.

“Dardanët” pësojnë në Izrael

Ndërkohë, Kosova ka pësuar humbje nga Izraeli në xhiron e katërt të Grupit 1 në kualifikimet për Kampionatin Evropian në hendboll. Pas fitores në Prishtinë me rezultat 27:23, “Dardanët” pësuan 30:24 në ndeshjen e dytë ndaj izraelitëve që u zhvillua në Tel Aviv. Vendasit kishin epërsi konstante në këtë ndeshje dhe përkundër angazhimit të hendbollistëve kosovarë, vendësit shënuan fitore. Pas kësaj humbje, Kosova është e fundit në grup me vetëm dy pikë deri tash. Dy ka edhe Polonia si e treta, ndërsa Gjermania e Izraeli prijnë me tetë, respektivisht katër pikë. Dy të parat kualifikohet direkt në Kampionatin Evropian, derisa edhe katër nga tetë vendet e treta, gjithashtu kualifikohen tutje.

Vendi i tretë për U-19

Kosova U-19 (hendboll) e ka fituar medaljen e bronztë në “IHF Trophy Intercontinental”. Në ndeshjen për vend të tretë Kosova fitoi ndaj Kanadasë me rezultat 32:26. Djelmoshat kosovarë dëshmuar se kanë potencial për të ardhmen dhe kanë mbyllur garën me fitore bindëse. Kosova U19 kishte fituar ndaj Zelandës së Re me rezultat 41:14, por më pas humbi nga Kanadaja (35:31) dhe në gjysmëfinale nga Taipei Kinez (35:26). Të dielën iu kundërpërgjigj Kanadasë dhe mbylli pozitivisht garën.

(Kosova Sot)