Rrëzohet Marquez, Rins i rrëmben fitoren Rossit

  • 15 April 2019 - 12:24
Rrëzohet Marquez, Rins i rrëmben fitoren Rossit

Rrëzimi i Marc Marquez në xhiron e 12-të i kushtoi kryesimin spanjollit në Çmimin e Madh të Amerikës në pistën e Austin.

Për rrjedhojë në Alex Rins i Suzukit fitoi Çmimin e tij të parë të Madh në karrierë, pas një dueli të nxehtë me Valentino Rossin, me “Doktorin” që siç nisi garën nga vendi i dytë, ashtu e përfundoi, pra në të njëjtin pozicion. Në podium u ngjit edhe Jack Milller që meritoi vendin e tretë.

Pas tërheqjes së Marquez, Rossi u gjend i vetëm si lider i garës. Për disa xhiro me radhë, “Doktori” dhe Rins (i treti) studiuan njëri-tjetrin, por më pas spanjolli arriti ta parakalonte 4 xhiro para fundit. Në kthesat e fundit Rossi tentoi gjithçka për gjithçka, por rivali i tij mundi t’u rezistonte të gjitha sulmeve të tij.

Mëkat për Cal Crutchlow, që i nisur nga vija e parë, nga dëshira për të bërë sa më mirë rrëshqiti në kthesë. U tërhoq edhe Aleix Espargarò me Aprilian disa xhiro pas Marquez, sikurse Jorge Lorenzo për një problem në motor.

(Kosova Sot)