Gjenerata e historisë

  • 16 April 2019 - 09:54
Gjenerata e historisë

Në Botëror nuk do të shkojnë me flamur të bardhë

Kosova U-21 në hendboll te meshkujt u bënë ekipi i parë në sportet kolektive që siguruan pjesëmarrjen në një Kampionat Botëror. Trajneri dhe lojtarët e Kosovës shprehen shumë të kënaqur me këtë sukses, derisa në Spanjë nuk do të shkojnë me flamur të bardhë. Kjo gjeneratë do të mbahet mend si e historisë dhe e motivimit për suksese

Hendbollistët e Kosovës U-21 u bënë të parët që u kualifikuan në një Kampionat Botëror nga sportet kolektive. Kjo gjeneratë do të mbahet mend si e para që thyen akullin dhe me shpresën se edhe të tjerat do të vazhdojnë rrugën e juniorëve të Kosovës. Por, edhe gjeneratë e motivimit dhe dëshirës për të arritur suksesin e tyre. Kosova në finalen e zhvilluar në Prishtinë mposhti Taipei Kinez me rezultat 30:26. Në fakt, U-21, ishte e motivuar dhe dominoi ndeshjen për të arritur qëllimin që kishin në fillim të kësaj gare.

 Shpërblehet puna e disa vjetëve

Jon Muqolli, Drenit Tahirukaj, Arben Dugolli, Albin Xhafolli, Adrian Halili, Festim Mustafa, Besian Abazi, Lulzim Shabani, Rinor Avdulli, Art Luzha, Flakrim Beqiraj, Atdhe Basholli, Labinot Gubetini, Blend Dalladaku do të mburren gjatë me suksesin e kësaj jave. Fatmir Muhaxheri e Benon Brahushi do të mbahen mend gjatë që ndërtuan këtë ekip të madh, që do të kërkojë të lë gjurmët e tij edhe në Botërorin në Spanjë. Do të jetë gjenerata e drejtuar me shumë entuziazëm nga Fatmir Muhaxheri që në korrik të këtij viti do të ketë privilegjin të përfaqësojë Kosovën për herë të parë në një Botëror. Kampionati Botëror për junior (U21), mbahet në Spanjë dhe Kosova përballë do të ketë kombëtaret më të mira në botë. Trajneri i Kosovës, Fatmir Muhaxheri, është shprehur shumë i kënaqur, derisa ky sukses nuk është i rastësishëm. “Për 4-5 vjet punojmë me këtë gjeneratë, me këtë grup lojtarësh. Ata në finale dhe gjatë tërë garës dhanë atomin e fundit për të lartësuar emrin e Kosovës. Kanë luajtur me vetëmohim shembullor. I përgëzoj të gjithë për angazhimin e madh dhe për suksesin historik që e arritëm”, është shprehur Muhaxheri pas ndeshjes. Ndërkohë, Kosova U-19, u rendit e treta në këtë turne, duke premtuar se në të ardhmen mund të arrijë suksese.

Synim që e kishin nga fillimi

Meritë më të madhe për këtë sukses kanë hendbollistët që dhanë maksimumin në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në Prishtinë. Hendbollistët e Kosovës treguan si duhet luftuar, dhe tashmë i pret një sfidë e madhe në Botërorin që zhvillohet në Spanjë. Drenit Tahirukaj ishte i kënaqur me këtë sukses. “Asnjë ekip i Kosovës nuk është kualifikuar në Kampionat Botëror dhe ne e arritëm këtë. Jemi shumë krenarë për këtë arritje. Shpresojmë që me punë të vazhdojmë të ngritemi në nivele edhe më të larta. Jemi një grup i mirë lojtarësh dhe shpresojmë se do të kemi suksese tjera”, është shprehur Tahirukaj, njëri nga më të dalluarit në këtë turne. Edhe hendbollisti tjetër i Kosovës, Jon Muqolli, ka theksuar se nga fillimi kanë synuar që të kualifikohen në Botëror. “Është sukses historik. Prej ditës së parë kemi synuar të fitojmë këtë garë dhe të sigurojmë paraqitjen në botëror, që nuk është arritur deri më tani në sportet ekipore të Kosovës. Jemi jashtëzakonisht shumë të kënaqur. Është suksesi më i madh në karrierën tonë të deritashme”, ka deklaruar Jon Muqolli pas sfidës finale ndaj Taipeit Kinez. Turneu u zhvillua në Prishtinë, ku tifozët i dhanë një përkrahje të madhe hendbollistëve të Kosovës, që me ndihmën e tifozëve e kishin më të lehtë të kualifikohen në Botëror.

Kosova në finalen e zhvilluar në Prishtinë mposhti Taipein Kinez me rezultat 30:26. Në fakt, U-21, ishte e motivuar dhe dominoi ndeshjen për të arritur qëllimin që kishin në fillim të kësaj gare

Trajneri Fatmir Muhaxheri dhe lojtarët e Kosovës ishin shumë të kënaqur me këtë sukses, duke u bërë ekipi i parë nga sportet kolektive që kualifikohet në një Kampionat Botëror

(Kosova Sot)