Kosovës i mungon ylli i madh në ndeshjet e qershorit me Malin e Zi e Bullgarinë

  • 16 April 2019 - 12:19
Kosovës i mungon ylli i madh në ndeshjet e qershorit me Malin e Zi e Bullgarinë

Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë e mangët në ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2020 në muajin qershor pasi në duelet ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë do t’i mungojë Valon Berisha, i cili u operua në gju.

Lajme të këqija për Përfaqësuesen e Kosovës.

Verdhekaltrit do të jenë të mangët në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2020 në muajin qershor ndaj Malit të Zi më 7 dhe Bullgarisë më 10 qershor.

Në fakt, “Dardanët” nuk do të mund të llogarisin në yllin e ekipit, Valon Berisha.

Mesfushori luftarak është operuar në gju dhe për të ka marrë fund sezoni qysh tani.

Futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji nuk do të jetë në dispozicion deri në muajin korrik.

Berisha i kishte munguar Kosovës edhe në ndeshjen e marsit, ndaj Danimarkës dhe Bullgarisë për shkak të lëndimit.

Valoni e kaloi një sezon për t’u harruar, i cili u përshkua me lëndime të njëpasnjëshme dhe me formë të zbehtë.

Ai i ka zhvilluar vetëm 14 ndeshje, prej tyre vetëm një si titullar në Serie A, në total prej 508 minutash, edhe pse kishte shkuar në Lazio si yll nga Salzburgu, i cili kishte përfituar 7 milionë euro nga shitja e tij.

Berisha ka thënë se shpreson të kthehet shpejt dhe më i fortë, ndërsa nuk dihet nëse do të jetë pjesë e “Biancocelesti” edhe sezonin e ardhshëm.

(Kosova Sot)