Golat më të mirë të Messit e Ronaldos në çerekfinalet e Championsit

  • 16 April 2019 - 13:27
Golat më të mirë të Messit e Ronaldos në çerekfinalet e Championsit

Faqja zyrtare e UEFA-s në Youtube e ka publikuar një video me golat më të mirë të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldo në ndeshjet e fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve gjatë sezoneve të kaluara.

Sonte, gara më prestigjioze e futbollit të Evropë do t’i kthehet aksionet dhe do të zbulohen dy gjysmëfinalistët e parë të këtij sezoni. Barcelona do ta ndeshet me Manchester Unitedin, ndërsa Juventusi me Ajaxin.

Edhe Lionel Messi, edhe Cristiano Ronaldo po shpresojnë që të kenë paraqitje sa më të mira sonte për t’ua siguruar skuadrave të tyre një vend në gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Titulli i kësaj gare mund t’ua përmirësojë gjasat dy futbollistëve që ta fitojnë trofeun e gjashtë të Topit të Artë, pasi që deri më tani të dy i kanë nga pesë Topa të Artë.

Për nder të këtyre dy ndeshjeve që do të zhvillohen sonte, UEFA e ka publikuar një video ku janë grumbulluar të gjitha golat më të mira të të dy futbollistëve.

Deri më tani, Messi i ka bërë 807 paraqitje si futbollist profesionist, gjatë të cilave i ka shënuar 660 gola dhe i ka bërë 270 asiste. Në anën tjetër, Ronaldo ka arritur t’i shënojë 683 gola dhe t’i bëjë 218 asiste në 954 ndeshjet e zhvilluara si futbollist profesionist.

Sa i përket trofeve të fituara me klubet e tyre, Messi ka më shumë trofe se Ronaldo. Portugezi i ka fituar tre tituj të Premierligës, një titull të FA Cup, dy tituj të League Cup, dy tituj të La Ligës, dy tituj të Kupës së Mbretit, dy tituj të Superkupës së Spanjës, pesë tituj të Ligë së Kampionëve, dy tituj të Superkupës së Evropës, katër tituj të Kupës së Botës për Klube dhe një titull të Superkupës së Italisë.

Ndërsa, gjatë karrierës së tij, Messi i ka fituar tetë tituj të La ligës, gjashtë tituj të Kupës së Mbretit, gjashtë tituj të Superkupës së Spanjës, katër tituj të Ligës së Kampionëve, tre tituj të Superkupës së Evropës dhe tre tituj të Kupës së Botës për Klube. 

(Kosova Sot)