Allegri: Fatmirësisht, Juventusi e ka Cristiano Ronaldon

  • 16 April 2019 - 15:17
Allegri: Fatmirësisht, Juventusi e ka Cristiano Ronaldon

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri e ka cilësuar ekipin e tij si me fat që e ka në skuadër superyllin portugez, Cristiano Ronaldon.

Portugezi Cristiano Ronaldo tashmë i ka shënuar katër gola në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, me një het-trik në ndeshjen kundër Atletico Madridit në ndeshjen e fazës së kaluar.

Aftësinë e tij për të shënuar gola, Ronaldo e shfaqi edhe në ndeshjen e parë çerekfinale, kundër Ajaxit, duke shënuar me kokë pak para përfundimit të pjesës së parë në ndeshjen e cila përfundoi me rezultat 1:1. 

“Cristiano e ka këtë aftësi të jashtëzakonshme që sapo të afrohet ndeshja, ai ndryshon. Mund ta shihni këtë në fytyrën e tij. Ai është në formë më të mirë fizike sesa që ishte javën e kaluar”, ka thënë Allegri.

“Do të them se do të kishte qenë shumë e çuditshme nëse Juventusi do të ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve me vetëm një gol të shënuar nga Cristiano Ronaldo”.

“Por, pastaj ai i shënoi tri kundër Atletico Madridit dhe një kundër Ajaxit. Për fat të mirë, ne e kemi Cristianon në Juventus”. 

Ronaldo është golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve. Në total, Ronaldo tani i ka 64 gola në fazën e eliminimit direkt, tri më shumë se në fazën grupore (61). Prej tyre, 23 i ka shënuar në 1/8 e finaleve, 24 në çerekfinale, 13 në gjysmëfinale dhe katër në finale.

(Kosova Sot)