Mbappe përballet me zgjedhjen e vështirë: Messi apo Ronaldo?

  • 17 April 2019 - 15:57
Mbappe përballet me zgjedhjen e vështirë: Messi apo Ronaldo?

Ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe ka insistuar se ai  nuk mund të zgjedhë në mes të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Madje, francezi ka thënë se ai do të pensionohej për t’i lënë vend të dyve në skuadrën e tij.

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ishte në formë të jashtëzakonshme në ndeshjen e mbrëmshme kundër Manchester Unitedit në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, ku i shënoi dy gola dhe e siguroi një vend në gjysmëfinale

Cristiano Ronaldo nuk arriti ta bëjë të njëjtën gjë me Juventusin, pasi që klubi italian u eliminua nga Liga e Kampionëve mbrëmë, pas disfatës 2:1 ndaj Ajaxit në stadiumin “Allianz”. Portugezi e kishte shënuar nga një gol në dy ndeshjet kundër holandezëve.

Përkundër këtij dështimi, ish-lojtari i Real Madridit, i cili iu bashkua Juventusit verën e kaluar, ka arritur t’i shënojë 26 gola në 38 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon me kampionin në fuqi të Serisë A.

Në anën tjetër, Messi ka qenë i jashtëzakonshëm këtë sezon, duke i shënuar 45 gola dhe duke i asistuar 21 të tjera në 42 ndeshje.

Ylli i PSG-së, Mbappe, nuk arriti të zgjedhë mes këtyre të dyve, kur u pyet se cilin do të preferonte ta kishte në skuadër, duke insistuar se do të pensionohej për të krijuar hapësirë për ata të dy që të luajnë.

“Nëse do të duhej të zgjedhja mes Messit dhe Ronaldos për skuadrën time? Do të pensionohesha dhe do t’i merrja të dy, që të sigurohem se do të fitonim”, është shprehur Mbappe për France Football.

“Mund ta zgjedh njërin, mirëpo do të duhej ta bëja këtë në dëm të tjetrit. Dhe askush nuk ka të drejtë ta denigrojë njërin prej këtyre dy bishave. Ta zgjedhësh njërin do të thotë t’i ofendosh të gjitha arritjet e tjetrit”

“Kur isha më i ri, argëtohesha duke i krahasuar ata të dy. Nga një vit në tjetrin, e ndryshoja preferencën, mirëpo edhe unë e pranoj që e mbroja Ronaldon më shpesh”.

Deri më tani, Messi i ka bërë 807 paraqitje si futbollist profesionist, gjatë të cilave i ka shënuar 660 gola dhe i ka bërë 270 asiste. Në anën tjetër, Ronaldo ka arritur t’i shënojë 683 gola dhe t’i bëjë 218 asiste në 954 ndeshjet e zhvilluara si futbollist profesionist.

Sa i përket trofeve të fituara me klubet e tyre, Messi ka më shumë trofe se Ronaldo. Portugezi i ka fituar tre tituj të Premierligës, një titull të FA Cup, dy tituj të League Cup, dy tituj të La Ligës, dy tituj të Kupës së Mbretit, dy tituj të Superkupës së Spanjës, pesë tituj të Ligë së Kampionëve, dy tituj të Superkupës së Evropës, katër tituj të Kupës së Botës për Klube dhe një titull të Superkupës së Italisë.

Ndërsa, gjatë karrierës së tij, Messi i ka fituar tetë tituj të La ligës, gjashtë tituj të Kupës së Mbretit, gjashtë tituj të Superkupës së Spanjës, katër tituj të Ligës së Kampionëve, tre tituj të Superkupës së Evropës dhe tre tituj të Kupës së Botës për Klube. 

(Kosova Sot)