Reagimi i Guardiolës ndaj golit të anuluar ndaj Tottenhamit

  • 18 April 2019 - 09:36
Reagimi i Guardiolës ndaj golit të anuluar ndaj Tottenhamit

Ambiciet e Pep Guardiolës për t’i fituar katër titujt këtë sezon me Manchester Cityn u shkatërruan mbrëmë, kur u eliminuan nga Liga e Kampionëve.

Kampioni në fuqi i Premierligës fitoi me rezultat 4:3 në “Etihad”, mirëpo Tottenhami u kualifikua në gjysmëfinale të garës më prestigjioze të Evropës falë rregullit për gola të shënuar si mysafir.

Megjithatë, gjatë ndeshjes, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, mendoi se skuadra e tij e siguroi kualifikimin në gjysmëfinale me golin e Raheem Sterlingut në minutën e tretë nga gjithsej pesë minuta shtesë.

Guardiola e festoi atë gol si i çmendur, bashkë me lojtarët e tjerë të Manchester Cityt, megjithatë festimi iu ndal shumë shpejt në gjysmë, pasi që Sergio Aguero kishte qenë në pozitë jashtë loje gjatë aksionit.

Tani, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Tottenhami do të luajë kundër Ajaxit, që e eliminoi Juventusin të martën.

Ndërsa, fitorja 4:1 e Liverpoolit ndaj Portos në ndeshjen e dytë, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, bën që skuadra e Jurgen Kloppit të kalojë në gjysmëfinale, ku do të përballet me Barcelonën, që të martën e eliminoi Manchester Unitedin. 

(Kosova Sot)