Vëllaznimi e emëron zëvendësuesin e Ismet Munishit

  • 18 April 2019 - 11:57
Vëllaznimi e emëron zëvendësuesin e Ismet Munishit

Disa orë pas largimit të Ismet Munishit nga pozita e trajnerit të Vëllaznimit, klubi gjakovar e ka emëruar zëvendësuesin e tij, Blerim Mulën.

Në njoftimin e lëshuar nga faqja zyrtare e Vëllaznimit në Facebook ka bërë të ditur se Blerim Mula do ta mbajë rolin e trajnerit deri në fund të këtij sezoni dhe do ta ketë stafin e njëjtë me Ismet Munishin.

Munishi i ndau rrugët me klubin e Vëllaznimit të mërkurën më mbrëmje, në një kohë vendimtare të sezonit për synimet e klubit, pas humbjes turpëruese në shtëpi 4:0 nga Trepça ’89.

Ndeshja e Vëllaznimit – që garon në Ligën e Parë, nivelin e dytë të futbollit në Kosovë -kundër klubit nga Mitrovica ishte e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës.

Klubi gjakovar është duke luftuar për t’u rikthyer në Superligë dhe ndodhet në zonën e play-off, me vetëm gjashtë pikë larg vendit të dytë, vendit të promovimit direkt në ligën elitare kosovare.

Gjashtë javë para fundit të kampionatit, Vëllaznimi i ka 46 pikë, tri më shumë se vendi i pestë, Vitia, një më pak se vendi i katërt, Dukagjini dhe gjashtë më pak se vendi i dytë, Besa. 

(Kosova Sot)