Van Dijk: Nuk di si ta ndal Messin

  • 18 April 2019 - 12:14
Van Dijk: Nuk di si ta ndal Messin

Liverpooli do të përballet me Barcelonën në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe ylli argjentinas, Lionel Messi, mund të jetë një kërcënim i madh për ëndrrat e klubit anglez për titullin e Ligës së Kampionëve.

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, e ka pranuar se ai ende nuk është se si do ta ndalë Lionel Messin e Barcelonës, kur të dy të përballen në gjysmëfinale të garës më të madhe të Evropës.

Finalisti i sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, Liverpooli, do të përballet sërish me një gjigant spanjoll. Sezonin e kaluar, anglezët u ndeshën me Real Madridin në finale, ndërsa këtë sezon po përballen me Barcelonën në gjysmëfinale.

Messi, i cili i shënoi dy gola në mesjavë kundër Manchester Unitedit, është futbollisti që mund t’i rrezikojë më së shumti ëndrrat e Liverpoolit për t’u shpallur kampion i Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Van Dijku do të jetë njëri ndër futbollistët e Liverpoolit që do ta ketë detyrë ta mbajë të heshtur argjentinasin, mirëpo holandezi është i vetëdijshëm se sa e vështirë do të jetë kjo sfidë.

“Si do ta ndal? Nuk e di, do ta shohim. Do të jetë një përballje e mrekullueshme për të gjithë ne. Natyrisht që jemi shumë të lumtur që jemi në gjysmëfinale sërish dhe kjo është e vetmja gjë që mund ta them”, ka thënë Van Dijk.

“Ne duhet ta bëjmë këtë të gjithë së bashku, nuk do të jetë kurrë përballje një kundër një, nuk do të jem kurrë vetëm unë përballë një sulmuesi të caktuar. Do të jetë shumë e vështirë dhe unë mendoj se ai është më i miri në botë, por do ta shohim”. 

(Kosova Sot)