Messi, shembulli që po e ndjek lojtari i Hannoverit që po e kërkon Kosova

  • 18 April 2019 - 12:44
Messi, shembulli që po e ndjek lojtari i Hannoverit që po e kërkon Kosova

Florent Muslija zbulon se Lionel Messi është sinonimi i karrierës së tij. Futbollisti 20-vjeç i Hannoverit jeton rreth 500 kilometra larg familjes së tij. Por, është i përkushtuar të rritet si futbollist

Futbollisti i Hannoverit, të cilin po e kërkon Kombëtarja e Kosovës, Florent Muslija, dëshiron të rritet sa më shumë si futbollist në Bundesligën gjermane. Prandaj, nuk është duke e menduar ndonjë transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës. 20-vjeçari thotë se është duke menduar vetëm për të shënuar sa më shumë gola dhe asistime me fanellën e ekipit të tij gjerman.

Në një intervistë për ueb faqen zyrtare të Hannoverit, Muslija ka treguar se familja e tij jeton në një qytet tjetër rreth 500 kilometra larg prej Hannoverit.  Megjithatë, thekson se është mësuar me këtë mënyrë të jetesës duke u përkushtuar veç në futboll.

“Jam përshtatur mirë. Më pëlqen të lëviz nga qendra e qytetit së bashku me Valdrin Mustafën, një lojtar i ekipit B që e njoh prej disa kohësh. Ai erdhi te Hannoveri para pak muajsh. Dal me të çdo ditë. Është mirë që kam dikë me të cilin mund të kaloj kohën. Vij nga Karlsruhe dhe Hannoveri është shumë më i madh. Familja është e para për mua. Jetoj 500 kilometra larg familjes dhe nuk i shoh shpesh. Por kënaqem sa herë që më vizitojnë. Babai im është i pranishëm në të gjitha ndeshjet e mija”, ka deklaruar Muslija.

Mesfushori kosovar ka zbuluar se Lionel Messi është futbollisti i tij i preferuar dhe se argjentinasin e konsideron sinonim për karrierën e tij.

“Idhulli im më i madh është Lionel Mesi. Ai është magjik me topin, këtë e tregoi dhe tani në Ligën e Kampionëve. Është thjesht futbollisti perfekt, lëvizjet, kthesat, teknika e gjuajtjes, thjesht çmenduri. Sa herë që e shoh fillon të më rrah shpejt zemra. Kur shikoj atë e kuptoj pse e dua futbollin, është shembulli perfekt”, tha ai.

Muslija tashmë po negocion me Federatën e Futbollit të Kosovës rreth një inkuadrimi në Kombëtaren e Kosovës. 

(Kosova Sot)