Coutinho e sqaron festimin e tij kundër Man Unitedit

  • 19 April 2019 - 08:11
Coutinho e sqaron festimin e tij kundër Man Unitedit

Philippe Coutinho e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta sqaruar festimin e tij pas golit në ndeshjen e së martës kundër Manchester Unitedit, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Barcelona e siguroi një vend në gjysmëfinale të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Liverpoolin. Ndeshja me “Djajtë e kuq” përfundoi me rezultat 3:0 dhe katalonasit fituan me rezultat të përgjithshëm 4:0.

Ish-ylli i Liverpoolit, Philippe Coutinho, e ndëshkoi edhe një herë rivalin e ish-klubit të tij, duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm nga largësia, që e la të pashpresë portierin David De Gea. Por, po aq vëmendje sa goli mori edhe festimi i tij.

“Ne nuk duhet t’i dëgjojmë asnjëherë njerëzit të cilët na demotivojnë sepse fjalimet e tyre vetëm të na shpërqendrojnë nga qëllimi që duhet ta kemi. Kurrë në jetën time nuk e kam ofenduar askënd as në futboll e as jashtë futbollit”, ka thënë Coutinho. 

Pasi braziliani e kaloi Barcelonën në epërsi me rezultat 3:0, ai i vendosi gishtërinjtë e tij në vesh, për të simbolizuar se nuk do i dëgjon kritikat që i ka marrë deri më tani nga tifozët në Camp Nou.

Kur Coutinho u zëvendësua në minutën e 80-të dhe në vend të tij erdhi Ousmane Dembele, pati shumë duartrokitje. Megjithatë, sipas të përditshmes spanjolle, Marca, këto duartrokitje ishin më shumë për francezin.

(Kosova Sot)