Puyol: Messi, më i miri në histori

  • 20 April 2019 - 16:37
Puyol: Messi, më i miri në histori

Ish-mbrojtësi legjendar i Barcelonës, Carles Puyol, beson se Lionel Messi është lojtari më i mirë në histori të futbollit dhe thotë se pikërisht argjentinasi është meritor për përmirësimin e Barcelonës në secilin aspekt për t’i ardhur më afër tripletës.

Barcelona e mposhti Manchester Unitedin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku Messi shënoi dy herë në ndeshjen kthyese në Camp Nou të martën. Ai është golashënuesi më i mirë i garës për këtë edicion, me 10 gola, si dhe është golashënuesi më i mirë edhe në La Liga.

Barcelona tashmë veçse e ka një dore te trofeu i La Ligës, për shkak të epërsisë së madhe që e kanë ndaj Atletico Madridit, i cili renditet në pozitën e dytë. Katalonasit do të përballen me Valencian në finale të Kupës së Mbretit në fund të majit.

Puyol, ish-kapiteni i Barcelonës që i ka fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve, e ka lavdëruar Messin duke thënë se ai është lideri i vërtetë i skuadrës së Ernesto Valverdes.

“Ai po luan në një nivel të mrekullueshëm. Për mua, ai është lojtari më i  mirë në historinë e sportit tonë. E ka dëshmuar këtë gjë sezon pas sezoni dhe ju mund ta shihni se si ka evoluar stili i lojës së tij”, ka thënë Puyol.

“Ju mund ta shihni se ai po përmirësohet çdo vit dhe po sjell cilësi të tjera në këtë lojë. Është përmirësuar në çdo aspekt dhe e ka ndërmarrë një hap përpara sa i përket nivelit personal. AI gjithmonë ka qenë lider në fushë, por tani është lider edhe jashtë saj”.

“Ai është një person introvert, por tani ju mund ta shihni se ai po e drejton skuadrën nga fronti i luftës si kapiten i Barcelonës”.

Messi i ka shënuar 45 gola në 42 ndeshje të këtij sezoni për Barcelonën, si dhe i ka asistuar 21 gola të tjera. Katalonasit janë nëntë pikë përpara Atletico Madridit në ligë dhe vetëm 18 pikë janë në lojë deri në fund të sezonit. 

(Kosova Sot)