Lojtari i Manchester Unitedit: Nuk kemi lider në fushë
Nemanja Matic ka thënë se Manchester Unitedit i mungojnë futbollistë liderë në fushë, por e ka marrë përgjegjësinë mbi supet e veta për humbjen turpëruese 4:0 nga Evertoni në Premierligë të dielën.
Evertoni e shkatërroi Unitedin në Goodison Park, duke ia shkaktuar humbjen e pestë radhazi në udhëtim në të gjitha garat. Kjo është ecuria më negative e klubit që prej marsit të vitit 1981.
Unitedi i Ole Gunnar Solskjaer i ka humbur gjashtë prej tetë ndeshjeve të fundit dhe Matic e fajëson veten dhe bashkëlojtarët për mungesë të udhëheqësisë në fushë në humbjen e së dielës.
“Problemi më i madh ishte se ne nuk kishim liderë në fushë”, tha 30-vjeçari.
“Në këtë rast unë, sepse unë jam njëri prej personave më me përvojë në ekip, prandaj nëse ne nuk e fitojmë betejën në mesfushë, atëherë ekipi jonë e ka shumë të vështirë të luajë”, shtoi ai.
“Nëse dikush ka faj për këtë ndeshje, atëherë ai jam unë”, theksoi ai.
(Kosova Sot)