Emery i del në mbrojtje Mustafit pas kritikave të ashpra

  • 24 April 2019 - 10:06
Emery i del në mbrojtje Mustafit pas kritikave të ashpra

Tifozët e Arsenalit dhe analistët e futbollit në Angli e kritikuan ashpër mbrojtësin e Arsenalit për paraqitjen e tij kundër Crystal Palace, mirëpo trajneri i tij thotë se ai është lojtar shumë i mirë.

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, insistoi se Shkodran Mustafi është mjaftueshëm i mirë për të luajtur për Arsenalit, përkundër që paraqitjet e qendërmbrojtësit nuk kanë qenë edhe aq të mira gjatë kohës së fundit.

27-vjeçari ka hasur në shumë kritika që kur u transferua nga Valencia në vitin 2016 për 40 milionë euro. Mirëpo, Emery nuk ka asnjë dyshim për aftësinë e përfaqësuesit gjerman, duke e theksuar paraqitjen e tij të mirë në fitoren 1:0 kundër Watfordit, më 15 prill.

“Dua t’i mbroj lojtarët. Mustafi është lojtar shumë i mirë, qendërmbrojtës shumë i mirë. Ai e ka zakon të bëjë ndërhyrje dhe të shtrihet në tokë, duke e përdorur parashikimin e tij kundër rivalëve”, është shprehur Emery.

“Ai mund ta fitojë një ndërhyrje, dy, tri apo katër – por, nëse e humb një dhe ne pranojmë gol, kjo mbetet në mendje. Kam folur me të, i kam thënë: “Ti je i ri, mund të përmirësohesh dhe duhet të punosh shumë sepse ke shumë talent për pozitën e qendërmbrojtësit””.

“Për shembull, kundër Watfordit, ai ishte më i mirë ndër të gjithë, ai e fitonte topin në ajër me kokë dhe kjo është një statistikë shumë e mirë për të. Të dielën e kishte më të vështirë kundër Christian Bentekes, mirëpo dueli ishte 50-50”.

Emery ka kaluar nga formacioni me katër mbrojtës tek ai me tre e anasjelltas gjatë këtij sezoni të tij të parë në Premierligë dhe spanjolli beson se Mustafi luan më mirë kur luan edhe me dy qendërmbrojtës të tjerë.

“Kur i përdorim tre qendërmbrojtës, i mbrojmë ata më shumë. Ti mund ta humbasësh një ndërhyrje, por janë edhe dy lojtarë të tjerë. Kur ke vetëm dy qendërmbrojtës, nëse njëri e humb topin, mbetet vetëm një lojtar prapa. Kjo po i ndodh shpesh Mustafit, por unë dua që ai të mos bëjë ndërhyrje duke rrëshqitur në tokë çdo herë”.

“Duhet të jesh i mençur për momentet kur mund të bësh ndërhyrje të tilla, ta vlerësosh kur është momenti i duhur e kur jo. Por, kjo është pjesë e procesit”.

Mustafi e lejoi Wilfried Zahan ta kalojë atë lehtësisht për golin e dytë të Crystal Palace, mirëpo Emery nuk e fajëson atë.

“Ai është i ri, është duke u përmirësuar dhe të dielën u fokusuam tek ai për shkak të golit të dytë. Mirëpo, nuk është faji i tij. Gabimi ishte taktik sepse ne duhet ta mbrojmë atë me edhe dy qendërmbrojtës të tjerë kundër Zahas. Unë e mbroj sepse i besoj atij”.

Arsenali është në pozitën e pestë në tabelën e Premierligës, me një pikë prapa Chelseat në vend të katërt. 

(Kosova Sot)