Ish-lojtari i Real Madridit: Mbappe është si Ronaldo, duhet të largohet nga PSG-ja

  • 25 April 2019 - 09:59
Ish-lojtari i Real Madridit: Mbappe është si Ronaldo, duhet të largohet nga PSG-ja

Do të qëndrojë, apo do të largohet? E ardhmja e Kylian Mbappé mban pezull të gjithë dhe në merkaton e ardhshme verore është i destinuar të jetë kryefjala e dhe objektivi kryesorë i gjigantëve të Europës. Madje edhe sipas ish-madrilenit, Fernando Morientes nuk ka dyshime se francezi kampion bote duhet të ndryshojë ambient.

Në një intervistë dhënë për “Mundo Deportivo”, Morientes deklaroi se Mbappe duhet të transferohet me çdo kusht në një tjetër kampionat, për të ndjekur hapat e Lionel Messi e Cristiano Ronaldo. 

“Nga njëra anë është e vështirë të mendosh se mund të ekzistojë një Messi i ri, nga ana tjetër, Ronaldo ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Gjithsesi mendoj se cilësitë e Mbappe janë më të ngjashme me ato të CR7”, komentoi Morientes.

“Në dekadën e fundit, Barcelona është projektuar sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Messi dhe projekti i ardhshëm dominues në Europë duhet të bazohet te Mbappe. Si sulmues në nivelet maksimale mund të zgjasë 10 deri në 12 vjet”, vijoi ish-sulmuesi i Real Madridi.

“Ndaj duhet të hedhë hapin e radhës dhe të firmosë për një klub gjigant të La Liga ose Premier League. Mendoj se 21 vjeç është limiti për tu larguar nga PSG dhe t’i dëshmojë mbarë botës se talenti i tij nuk mund të mbetet i mbyllur në Francë”, përfundoi Morientes. 

(Kosova Sot)