Makelele: Pogba është opsion i mrekullueshëm për Real Madridin

  • 25 April 2019 - 12:07
Makelele: Pogba është opsion i mrekullueshëm për Real Madridin

Ish-mesfushori i Real Madridit, Claude Makelele, beson se bashkëkombësi i tij, Paul Pogba, do të ishte një lojtar i mrekullueshëm për Real Madridin dhe për këtë arsye e këshillon klubin madrilen ta transferojë francezin gjatë verës.

Mesfushori francez ka qenë i përfolur shumë për një largim për herë të dytë nga Old Traffordi dhe gjasat e klubi që të mos e arrijë kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve vetëm sa i kanë shtuar këto dyshime.

Juventusi thuhet se dëshiron ta kthejë Paul Pogbën në Torino, përderisa 26-vjeçari e ka pranuar publikisht se ai është i interesuar për Real Madridin dhe trajnerin Zinedine Zidane, i cili e ka lavdëruar publikisht mesfushorin e Manchester Unitedit.

Real Madridi raportohet se është i interesuar edhe për transferimin e Kylian Mbappes dhe Makelele i ka komentuar që të dy këta futbollistë, Mbappen dhe Pogbën.

“Më pëlqejnë që të dy. Do t’i transferoja të dy, por do të ishte e komplikuar sepse nuk mendoj se PSG-ja do ta lejojë shitjen e Mbappes për momentin”, ka thënë Makelele.

“Mendoj se Pogba është opsion i mrekullueshëm për Real Madridin për momentin. Në United, ai detyrohet të bëjë gjithçka i vetëm, ndërsa në Real Madrid do të kishte shumë mbështetje”.

L’Equipe pretendon se largimi i Pogbës nga Manchester Unitedi tashmë është programuar pasi që janë ngritur edhe më shumë dyshime për të ardhmen e tij në klub. Gazeta franceze shton se Pogba dëshiron të garojë në Ligën e Kampionëve vazhdimisht dhe i pëlqen ideja e të luajturit nën Zidanin në Bernabeu.

Pogba e kishte refuzuar një ofertë nga Real Madridi në vitin 2016, kur vendosi që të kthehet në Old Trafford nga Juventusi, për një shumë që atëherë e bëri francezin lojtarin më të shtrenjtë në botë, 105 milionë euro.

Revista franceze, France Football, raporton se përkundër që Pogbës i pëlqen të luajë nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaerit, Real Madridi nuk i është larguar nga mendja, pasi që beson se ky transferim do t’ia rriste gjasat për ta fituar Topin e Artë.

France Football vazhdon duke shkruar se 26-vjeçari beson se është në moshën e përsosur për t’u transferuar në Real Madrid e madje as qëllimi i trajneri Solskjaer për ta ndërtuar skuadrën e Manchester Unitedit rreth tij nuk ia ka ndryshuar mendjen për këtë gjë. 

(Kosova Sot)