Flet Rashica pas superparaqitjes kundër Bayernit

  • 25 April 2019 - 12:56
Flet Rashica pas superparaqitjes kundër Bayernit

Milot Rashica e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, për ta komentuar eliminimin e Werder Bremenit nga Kupa e Gjermanisë. Në këtë ndeshje, kundër Bayern Munichut, Rashica e pati një superparaqitje.

Dy gola të sulmuesit polak Robert Lewandowski dhe një nga Thomas Muller i mjaftuan skuadrës së Niko Kovacit të fitojë 3:2, ndaj Werder Bremenit të mërkurën në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.

Edhe pse skuadra e tij u eliminua nga kjo garë, ylli i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, shkëlqeu në këtë ndeshje. Për paraqitjen e tij, ai u vlerësua me notën më të lartë nga të gjithë lojtarët në fushë.

24-vjeçari së pari asistoi për Yuto Osake në minutën e 74-të dhe vetëm një minutë më vonë, ai shënoi një supergol individual duke e barazuar rezultatin në 2:2.

Ky ishte goli i tretë në katër ndeshje në Kupën e Gjermanisë për Rashicën, mirëpo nuk mjaftoi që t’ia sigurojë Bremenit një vend në finale.

“Fatkeqësisht nuk mjaftoi, por ne vazhdojmë së bashku. Mbështetje e mrekullueshme nga tifozët tanë #MR11”, shkroi Rashica në llogarinë e tij në Instagram.

Bayern Munich do të përballet me RB Leipzig në finale të Kupës së Gjermanisë. 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by MILOT RASHICA (@milotrashica7) on

(Kosova Sot)