Dajaku: Me deklarata shpifëse futbollit vetë po ia zbehim imazhin

  • 26 April 2019 - 08:35
Dajaku: Me deklarata shpifëse futbollit vetë po ia zbehim imazhin

Fusha duhet të përcaktojë fatin e titullit dhe luftës për ekzistencë

“Unë gjykoj se kemi bërë hapa para, por duhet të kemi kujdes që të mos e dëmtojmë vetë imazhin e Ligës me gjëra jashtë futbollit, sidomos me deklarata fyese e shpifëse. Duhet t’ia lëmë fushës të japë verdiktin e vet për kampionin dhe për ato skuadra që mund të largohen nga Liga”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Taulant Dajaku

Ka kohë që futbolli ynë nuk ka kaluar nëpër një periudhë çfarë është duke e përjetuar tash. Tri skuadra janë të barabarta në luftë për titull dhe kjo luftë pritet të jetë e jashtëzakonshme deri në xhiron e fundit. Ngjashëm është edhe pjesa e poshtme e tabelës. Kjo po e bën garën dhe kampionatin tejet interesant, megjithatë, analistët vazhdojnë të besojnë se cilësia e futbollit tonë dhe profesionalizmi nuk janë në nivelin e dëshiruar.

Me këtë konstatim nuk po pajtohet ish- futbollisti i Prishtinës, aktualisht pjesë e Drenicës së Skenderajt Taulant Dajaku, i cili konsideron se sivjet futbolli ynë ka bërë hapa përpara, por janë disa aktorë që duke dëshiruar të jenë në qendër të vëmendjes vazhdimisht e atakojnë të ardhmen e futbolli, duke dhënë deklarata jokorrekte, e madje në shumë raste edhe shpifëse.

Cilësia po ngritët

“Unë besoj fuqishëm se ka ngritje të cilësisë dhe kampionati është më interesanti deri me tani. Kemi tri ekipe që në sprintin final janë në garë për titull dhe kjo po e bën rivalitetin të jetë i madh”, ka thënë Dajaku, duke komentuar më pas edhe pakënaqësitë e disa trajnerëve, të cilët vazhdojnë të atakojnë se drejtësia nuk është në nivel dhe në shumë raste ekipet e tyre janë viktimë e këtyre padrejtësive. “Çështja e pakënaqësisë është në natyrën tonë të çuditshme ballkanike që të mos pranojmë dështimet në ndonjë ndeshje dhe fajin të hedhim tutje në teori konspiracionesh e gjërash që si bëjnë nder askujt”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” Taulant Dajaku, duke kërkuara që hapësira për disa deklarata që nuk kanë bazë të jetë e kufizuar.

“Gjykoj se media duhet të ketë pak kujdes dhe të mos ia lejoj vetes t’i publikojë deklarata fyese e shpifëse që bëjnë disa aktorë të kampionatit, sepse pastaj ato lloj deklaratash po shtyjnë reagime zinxhir dhe i gjithë demi po i bëhet vlerës së përbashkët të kampionatit tonë”, ka thënë Dajaku për gazetën “Kosova Sot”.

Fusha të përcaktojë gjithçka

Kur kanë mbetur vetëm edhe 5 ndeshje për t’u zhvilluar dhe gjithçka të sqarohet sa i përket fatit të këtij edicioni në elitën e futbollit kosovar, Taulant Dajaku ka thënë se është i nevojshëm një mobilizimi i përgjithshëm, në mënyrë që gara të mos dalë nga binarët dhe gjithçka të kalojë në bazë të asaj që klubet tregojnë brenda vijës së fushës.

“Unë konsideroj që kemi bërë hapa para në futbollin tonë, megjithatë duhet të kemi kujdes që të mos e dëmtojmë vetë imazhin e Ligës me gjëra jashtë futbollit. Pra, le t’ia lëmë fushën të japë verdiktin e vet sa i përket titullit të kamponit dhe luftës për mbijetesë”, ka përfunduar Taulant Dajaku.

(Kosova Sot)