Klubet me një trajner e pa staf teknik

  • 26 April 2019 - 08:39
Klubet me një trajner e pa staf teknik

Mungesa e mjeteve financiare bën që klubet të mos kenë shumë staf teknik

Shumë klube në Kosovë përballen me probleme financiare. Kjo sigurisht se u shkakton telashe. Edhe trajnerët e pësojnë. Ka klube në Kosovë, ku është vetëm një trajner i vetëm, i cili përkujdeset për të gjitha aspektet, madje, duke mos pasur as trajner kondicional, e mos të flasim për psikolog. Në disa raste klubet nuk kanë as mjek, derisa trajneri duhet të merret edhe me financat e klubit

Kriza financiare ka kapluar shumë klube sportive në Kosovë. Sidomos në sportet jo shumë të popullarizuara, klubet kanë vështirësi edhe të mbijetojnë. Megjithatë, edhe në sportet kolektive, klubet kanë shumë telashe. Si pasojë e kësaj, ato klube kanë vështirësi për të funksionuar siç i takon një klubi profesional.

Të shumta janë klubet që e kanë të angazhuar vetëm një trajner, i cili duhet të merret me të gjitha punët: të përgatisë ekipin sa i përket anës kondicionale, të merret vetë me analizën e lojës së tyre, analizën e lojës së kundërshtarit, madje, edhe me financa. Kjo bën që ai të jetë shumë i ngarkuar. E gjitha kjo ndodh sigurisht ndodh për shkak të problemeve financiare që kanë klubet.

Problem i njëjtë edhe pas pranimit

Ky problem po vazhdon, edhe pse sporti i Kosovës është i pranuar në arenën ndërkombëtare me të gjitha të drejtat. Ish-hendbollisti i disa skuadrave, Alban Dobroshi, i cili tani është trajner kondicional, tregon pse ndodh ky fenomen. “Jo vetëm në hendboll, por në gjitha sportet është ky fenomen. Kjo është për shkak se kryetarët e klubeve nuk dëshirojnë që të shpenzojnë shumë mjete financiare. Klub profesional është ai që ka një trajner, i cili udhëheq ekipin, ndihmëstrajneri, trajneri kondicional, mjeku i klubit, fizioterapeuti, ekonomi, i cili është përgjegjës për larjen e rekuizitave etj. Pavarësisht se jemi të pranuar në arenën ndërkombëtare me të gjitha sportet, duhet të mësojmë se si punojnë në klubet dhe kombëtaret e huaja.

Ato duhet të jenë shembull jo vetëm për rezultate, por sidomos në punën profesionale që bëhet në ato skuadra. Kjo duhet të jetë shembull për ne, njëkohësisht edhe motivuese për të punuar për të ardhmen dhe për të arritur rezultate të dëshirueshme, por gjithashtu edhe të nxjerrim talente në arenën ndërkombëtare. E kam cekur edhe më parë se kemi shumë talente, megjithatë, duhet një punë e madhe nga të gjithë. Duhet t’u kushtohet më shumë rëndësi, dhe sigurisht se e ardhmja është në duar të sigurta”, është shprehur ish-hendbollisti i njohur për gazeta “Kosova Sot”.

Një person me shumë përgjegjësi

Pasi nuk ka staf teknik, e tërë përgjegjësia bie mbi një person, i cili duhet të përkujdeset për të gjitha aspektet në një klub. “Nuk bën që një trajner të ketë shumë përgjegjësi. Duhet të dimë njëherë e përgjithmonë se rolet e trajnerëve duhet të ndahen. Kryetarët e klubeve e bëjnë për shkak të fondeve, pasi nuk janë të mëdha, dhe duhet që t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet. Sigurisht se po të kishin më shumë fonde, atëherë, detyrat do të shpërndaheshin. Shpresoj se kur klubet të kenë më shumë sponsorë, kjo të ndodh, sepse është esenciale në një klub profesionist”, ka theksuar tutje Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”.

Ka pasur kur klubet kanë qenë të dënuara, sepse nuk kanë pasur mjek, derisa edhe jeta e sportistëve mund të jetë e rrezikuar në fushë. Gjithashtu edhe psikologët janë shumë të rëndësishëm në një klub profesionist, por nuk janë të angazhuar në sportin e Kosovës, ashtu siç nuk janë të angazhuar trajnerët e kondicionit, ku lojtarët stërvitin në mënyrë jo shumë të angazhuar dhe nuk i përmbahen ushqimit e jetës sportive.

(Kosova Sot)