Rrëfehet Adebayor: Ditën që e sulmuan terroristët, trajneri i bukur Wenger dhe vrasësi Mourinho

  • 26 April 2019 - 14:27
Rrëfehet Adebayor: Ditën që e sulmuan terroristët, trajneri i bukur Wenger dhe vrasësi Mourinho

Emmanuel Adebayor ka reflektuar për karrierën e tij të mrekullueshme në futboll, gjatë së cilës ka luajtur për Arsenalin, Manchester Cityn dhe Real Madridin. Ai ishte kapiten i Togos kur autobusi i skuadrës u sulmua nga terroristët. Tani, në moshën 35-vjeçare, ai luan në Turqi për Istanbul Basaksehirin.

Ai është në një dhomë të zbrazët në stadiumin e Istanbul Basakserihit, mirëpo mendja e tij është diku tjetër. Ai është në stadiumin “Etihad” dhe shikon drejt tifozëve të Arsenalit, shkruan Dailymail.

Ai është i zemëruar. I sheh centët, shishet dhe thirrjet raciste që po vinin në drejtim të tij. Ai nuk e lëviz as qerpikun.

“Nëse një snajper do të më godiste, nuk do të më kishte rrëzuar. Isha në zonën time. Nuk ndihesha njeri. Abuzimi ishte i tepërt, isha gati të vdes. Vetëm i shikova ata dhe mendova: “Janë disa gjëra që nuk bëhen””, është shprehur Adebayor.

Adebayor është lojtar me disa talente specifike. Ai i bëri mbi 250 paraqitje në futbollin anglez dhe i shënoi 122 gola, por shumë shpesh është personaliteti i tij që vjen më në dukje. Festimi i tij legjendar, pak pasi u largua nga Arsenal për Manchester Cityn, mbetet fotografia më e mirë e karrierës së tij.

Historitë e tij – ditën që ishte përleshur me Nicklas Bendtner – të bëjnë të qeshësh, ndërsa disa të tjera – kujtimet e tij nga sulmi i rrezikshëm në autobusin e Togos – të  mërzisin. Pikërisht këto kujtime, ai i ka shpalosur në një intervistë.

Më 8 janar të vitit 2010, Adebayori ishte kapiteni i Togos në ditën kur autobusi i ekipit kombëtar u sulmua nga disa terroristë. Vozitësi, ndihmëstrajneri dhe një zyrtar për media u vranë. Shumë lojtarë mbetën të lënduar.

Përderisa shokët e tij ishin të gjakosur dhe kërkonin ndihmë, Adebayori dhe disa të tjerë mbetën ta palëvizshëm. “Për 42 minuta, gjithçka që dëgjonim ishin të shtëna. Në anën djathtë, ta majtë, para dhe prapa. Vetëm i dëgjoja shokët e mi duke bërtitur, por nuk mund të lëviznim apo të bënim ndonjë gjë”, shton Adebayor.

“Si kapiten, u thashë të gjithëve t’i thërrasin familjet. E telefonova të dashurën time dhe i thashë: “Më dëgjo, po shkoj”. Ajo më pyeti se ku po shkoja. Ishte shtatzënë. I thashë që nëse është fëmija djalë, ta emërojë Emmanuel Jr – nëse është vajzë, ta emërojë Princess Emannuela. Ajo më pyeste se për çfarë po flisja dhe unë vetëm i thashë se do ta telefonoja nëse do të jem gjallë.

Në Arsenal, ai nuk shkonte shumë mirë me Van Persie dhe Nicklas Bendtnerin.

“Pse duhet të vijë në intervistë, t’i gënjej njerëzit dhe të them se Van Persie është shoku im i ngushtë? Ai e ka personalitetin e tij dhe unë e kam timin. Kishte tensione mes nesh”.

“Kur hyn në zhveshtore, duhet t’i zbathësh këpucët dhe të marrësh sandalet. Bendtneri hyri me këpucët e veta dy herë. Unë i thashë: “Bendtner, ka ligj këtu dhe askush nuk është mbi ligjin”. Ai më tha se nuk i intereson dhe unë i thashë të mos e përsëriste. Të nesërmen e bëri të njëjtën gjë dhe në filluam të përlesheshim”.

Adebayori ishte pjesë e një grupi të Arsenalit që pak nga pak do i dorëzohej rivalëve të Premierligës, mirëpo ai e vlerëson jashtëzakonisht shumë Wengerin si trajner.

“Wengeri është një trajner i bukur”, thotë ai.

Gjatë kohës sa ai ishte i huazuar në Real Madrid, Adebayor u drejtua nga një trajner plotësisht i ndryshëm me Wengerin, Jose Mourinhon.

“Njëri është i qetë tjetri jo. E mbaj mend kur isha në Arsenal dhe ishim duke humbur. Thierry Henry ishte tejet i zemëruar dhe kur erdhi Wengeri na tha të qetësoheshim. Ndërsa, në Real Madrid ne ishim duke fituar 3:0 dhe Mourinho vinte në zhveshtore, e godiste frigoriferin, e gjuante ujin dhe i vriste të gjithë”. 

(Kosova Sot)