Pogba kërkon të fillojnë bisedimet me Real Madridin

  • 26 April 2019 - 15:54
Pogba kërkon të fillojnë bisedimet me Real Madridin

Në mesin e spekulimeve që e lidhin Paul Pogbën me një largim nga Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, tani raportohet se mesfushori francez dëshiron t’i fillojë negociatat me Real Madridin.

Më herët ishte zbuluar nga revista prestigjioze franceze, L’Equipe, se Paul Pogba dëshiron të largohet nga “Old Traffordi” qysh gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.

Tani, sipas The Times, kampioni botëror me Francez dëshiron që të largohet patjetër nga Manchester Unitedi që po bie nga forma dhe zemra e tij e dëshiron kalimin në “Santiago Bernabeu”.

Trajneri aktual i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk e ka fshehur asnjëherë se i pëlqen mesfushori i Manchester Unitedit, i cili raportohet se dëshiron t’i fillojë negociatat me klubin madrilen sa më parë që të jetë e mundur.

Manchester Unitedi pritet që të largojë disa lojtarë nga skuadra gjatë verës, mirëpo Paul Pogba nuk është njëri ndër ta. Klubi anglez preferon t’i largojë Romelu Lukakun, Juan Matan, Ander Herreran, Matteo Darmianin, Marcos Rojon dhe Antonio Valencian.

Manchester Unitedi nuk dëshiron ta lejojë shitjen e francezit pasi që besojnë se ai është lojtari që mund ta kthejë madhështinë e klubit. Këtë gjë e ka bërë të ditur sot edhe trajneri Ole Gunnar Solskjaer.

“Nuk mund të garantosh asgjë në futbollit, por mendoj se Pogba do të jetë këtu. Mund të ju siguroj se për momentin ai është shumë i vendosur që të arrijë suksese me Manchester Unitedin”, ka thënë Solskjaer.

“Ai i vendos këto standarde sepse kur krijon shanse, shënon gol dhe bën shumë punë të madhe… mediat, tifozët dhe të gjithë do të të shikojnë me mendimin: “A mund të kishte bërë më shumë””.

“Ai është një lider në zhveshtore dhe në fushë për ne. Nuk mund të garantosh asgjë në jetë, mirëpo sa i përket vendimit tim, ai do të jetë këtu”. 

(Kosova Sot)