Mjafton një grusht, shqiptari fiton me nokaut

  • 28 prill 2019 - 14:08
Mjafton një grusht, shqiptari fiton me nokaut

Florian Marku ka marrë fitoren e tretë në boksin profesionist, pasi mundi me nokaut rivalin e tij Jan Marsalek, i cili ishte i pamposhtur deri në këtë ndeshje, me tre fitore, të gjitha me “KO”.

Në “York Hall” të Londrës nuk pati shumë histori në këtë sfidë, teksa “TNT” shqiptar e mbylli ndeshjen që në raundin e parë. Boksieri çek e nisi ndeshjen në sulm, duke tentuar tek tuk ndonjë goditje të lehtë dhe Marku vetëm u mbrojt.

Vetëm në një moment lëshoi një goditje provokuese dhe më pas në goditjen e parë të vërtetë e hodhi në tapet kundërshtarin duke marrë fitore me nokaut në 26 sekonda pas fillimit të përballjes. 

Kjo është fitorja e tretë radhazi e 26-vjeçarin shqiptar, që vijon të kërkojë suksesin drejt boksit profesionist, teksa më parë është ndeshur në kickboks dhe në MMA.

Në Londër ka qenë një atmosferë elektrizuese, teksa mijëra shqiptar mbushën sallën në York, duke i dhënë mbështetje të pakushtëzuar boksierit shqiptar.

(Kosova Sot)