Prishtina nuk gabon, treshja e madhe vazhdon luftën

  • 29 April 2019 - 10:14
Prishtina nuk gabon, treshja e madhe vazhdon luftën

 Kjo xhiro mbyllet me ndeshjen Flamurtari – KEK-u, që luhet sot në Prishtinë

Derisa Feronikeli më lehtësi mposhti kundërshtarin e tij Gjilanin, Prishtina e Llapi kanë vuajtur shumë përballë Drenicës, përkatësisht Dritës, por me plot meritë në fund kanë ngadhënjyer për të vazhduar luftën për titullin e kampionit

Treshja e madhe në luftë për titull, Feronikeli, Prishtina e Llapi nuk kanë gabuar as një javën e 29-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll për ta vazhduar luftën e ashpër për këtë trofe. Derisa Feronikeli e Prishtina më lehtësi mposhtën kundërshtarët e tyre Gjilanin, përkatësisht Drenicën, Llapi ka vuajtur shumë përballë Dritës, por me plot meritë në fund ka ngadhënjyer për të dëshmuar se tash është njëra nga skuadrat kryesore për titull, kjo edhe bazuar në orarin mjaft të mirë që ka. Sa i përket luftës për mbijetesë, duket se tash dilema mbetet të skuadra e barazhit, pasi Lirinë me humbjen e pësuar nga Trepça’89, vetëm ndonjë mrekulli mund ta shpëtojë.

 Prishtina mposht Drenicën, Trepça’89 fundos Lirinë

Drenica gjithmonë është cilësuar si një rivale shumë e madhe e Prishtinës, duke arritur në shumë raste t’i marrë pikë. Me këtë synim Drenica kishte udhëtuar edhe mbrëmë drejt kryeqytetit, por rëndësia tejet e madhe e pikëve për Prishtinën ka bërë që djelmoshat bardhekaltër të mobilizohen maksimalisht dhe mos t’i lënë asgjë rastit duke fituar me rezultat 2:1. Për fitoren e 9-të rresht të Prishtinës, realizuan Thaqi e Morina, ndërsa për mysafirët rrugën e golit e gjeti Mziu. Në takimin tjetër të ditës së shumtë, Liria me humbjen e pësuar nga Trepça ’89, tashmë humbur pothuaj gjitha shpresat për të siguruar barazhin për mbetje në Superligë, edhe pse matematikisht ka ende gjasa. Prizrenasit u mposhtën nga Trepëa’89 me rezultat 2:1, në sfidën e zhvilluar në “Riza Lushta” në Mitrovicë, dhe tash ndodhen në pozitën 11 me 25 pikë, shtatë më pak se Flamurtari që ka një ndeshje më pak. Ndërkohë, me tri pikët e fituara, Trepça ’89 ngjitet në pozitën e pestë.

Feronikeli e Llapi nuk gabojnë

Të shtunën janë zhvilluar tri ndeshje në Ipko Superligën e Kosovës në futboll . Skuadra kryesuese, Feronikeli ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Gjilanin, me rezultat 2:0. Kastriot Rexha i zhbllokoi shifrat në minutën e 8-të, derisa fitoren e skuadrës nga Drenasi e vulosi braziliani Carioca, në minutën e 35-të. Fitore në shtëpi ka realizuar edhe Llapi në duel me Dritën, por shumë më të vështirë se sa Feronikeli. Në fakt, tri pikë të rëndësishme në garën për titull llapjanëve ia siguroi Festim Alidema, me një eurogol në minutën e 71-të, që njëherësh ishte goli i vetëm i këtij takimi. “E kemi ditur se Drita ka një skuadër cilësore. Ata kishin ardhur tejet të motivuar, por është e kotë sepse Llapi është shumë i fuqishëm. Ne do ta bëjmë kampion vetveten dhe nuk kërkojmë që të na bëjë dikush tjetër”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Ndërkaq, Ferizaj ka shënuar fitore tepër të rëndësishme në Suharekë në duel me Ballkanin, me rezultat 4:2, duke iu shmangur zonës së barazhit pas kësaj jave. Dren Gashi shënoi dy herë, ndërsa nga një gol realizuan edhe Qëndrim Dautaj e Ermal Krasniqi për fitoren e skuadrës së Bylbyl Sokolit, kurse për nikoqirët realizuan Jetmir Topalli dhe Bajram Nebihu.

Skuadra kryesuese, Feronikeli ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Gjilanin, me rezultat 2:0. Fitore në shtëpi ka realizuar edhe Llapi në duel me Dritën, por shumë më të vështirë se sa Feronikeli. Llapi vazhdon të mbetet rival shumë i fortë në luftë për titull

Ferizaj ka shënuar fitore tepër të rëndësishme në Suharekë në duel me Ballkanin, me rezultat 4:2, duke iu shmangur zonës së barazhit dhe duke rritur maksimalisht shanset për të mbijetuar. Në anën tjetër, Liria pas humbjes ndaj Trepçës’89, ka minimizuar shanset për mbijetesë

Ipko Superliga

Llapi – Drita 1:0

Prishtina – Drenica 2:1

Feronikeli – Gjilani 2:0

Ballkani - Ferizaj 2:4

Trepça'89 – Liria 2:1

Sot

15:30 Flamurtari - KEK-u

Tabela

1. Feronikeli 29 68

2. Prishtina 29 68

3. Llapi 29 66

4. Drita 29 47

5. Trepça'89 29 39

6. Drenica 28 38

7. Gjilani 29 35

8. Ferizaj 29 34

9. Ballkani 29 33

10. Flamurtari 28 32

11. Liria 29 25

12. KEK-u 28 1

Në javën e 30-të takohen: Ferizaj – Liria, KEK-u - Ballkani, Gjilani – Flamurtari, Drenica – Feronikeli, Drita – Prishtina dhe Llapi – Trepça’89.

(Kosova Sot)