Kjo është epoka e Messit dhe këtë s’mund ta ndalin madje as titujt e Real Madridit në Champions

  • 29 April 2019 - 10:58
Kjo është epoka e Messit dhe këtë s’mund ta ndalin madje as titujt e Real Madridit në Champions

Duke e përfshirë titullin në La Liga këtë sezon, Lionel Messi tani ka 10 tituj në ligë, gjashtë në Kupën e Mbretit, tetë në Super Kupën e Spanjës, katër në Ligën e Kampionëve, tre në Super Kupën e UEFA-s dhe tre në Kupën e Botës për Klube.

Në këtë periudhë prej 15 viteve të Lionel Messit, rivali i përjetshëm i Barcelonës, Real Madridi, i ka fituar 20 tituj, apo 14 më pak se Barça me superyllin argjentinas si lider të saj, shkruan gazeta spanjolle “Marca”.

Real Madridi ka fituar më shumë trofe se Barcelonë në këtë epokë vetëm në një garë të caktuar, Kupën e Botës për Klube, një turne ku Reali i ka fituar katër tituj në 15 vjet, e Barça tre.

Këto dy klube e kanë fituar numrin e njëjtë të trofeve në Ligën e Kampionëve dhe në Super Kupën e UEFA-s, por Real Madridi i ka fituar gjashtë tituj më pak në La Liga dhe katër më pak në Kupën e Mbretit.

Ama kujdes, sepse Barcelona ende është në garë për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë vit dhe mund ta tejkalojë Real Madridin në epokën e Messit në këtë garë.

Prapëseprapë, do të ketë të atillë që thonë se kjo epokë nuk do të vlerësohet si epoka e Barcelonës së Messit.

Për përsosurinë e tij në lojë, për lojën e treguar gjatë sundimit të tij, për numrin e pafund të golave magjike të cilat nuk do të harrohen kurrë nga tifozët dhe për gjithçka çka ka fituar në aspektin e trofeve: kjo është epoka e Messit. 

(Kosova Sot)