Van Dijk s’i frikësohet Messit: E keni parë si mbrohemi ne

  • 30 April 2019 - 10:53
Van Dijk s’i frikësohet Messit: E keni parë si mbrohemi ne

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit ka thënë se skuadra e tij është gati për përballjen me Barcelonën, si dhe ka thënë se ai është i emocionuar për detyrën që e pret atë në Spanjë.

Virgil van Dijk ka thënë se sfida për ta mbajtur të heshtur Lionel Messin nuk e frikëson Liverpoolin sepse fakti që klubi anglez po e arrin fazën gjysmëfinale për dy sezone radhazi e tregon cilësinë e skuadrës së Jurgen Kloppit. 

Mbrojtësi, që së fundi e mori çmimin për lojtarin më të mirë të vitit në Premierligës, e pranon se Liverpooli do të duhet ta mposhtë njërën ndër skuadrat më të mira në botë për ta arritur finalen e Ligës së Kampionëve edhe këtë sezon.

Sipas Van Dijkut, për shkak se do të përballen me Messin, ata do të përballen me detyrën për ta ndalur talentin më të madh në planet. Argjentinasi e shënoi golin e 46-të këtë sezon kundër Levantes, për t’ia siguruar Barcelonës titullin e tetë të La Ligës në 11 vjetët e fundit, si dhe e orkestroi eliminimin e Manchester Unitedit në fazën çerekfinale.

Mirëpo, Van Dijk është i emocionuar për këtë detyrë që e pret atë të mërkurën, në stadiumin “Camp Nou”.

“Mendoj se ai është lojtari më i mirë në botë. Por, ju e keni parë se si luajmë ne dhe se si mbrohemi. Ne nuk mbrohemi një kundër një, mbrohemi të gjithë së bashku dhe sulmojnë të gjithë së bashku, kështu që do ta shohim. Do të jemi gati”, ka thënë Van Dijk.

“Situata është që jemi në gjysmëfinale kundër Barcelonës dhe do të përballemi dhe lojtarin më të mirë në botë. Por, nuk është vetëm ai, e gjitha skuadra është shumë cilësore. Ne do të përgatitemi mirë dhe edhe ne e kemi një skuadër shumë të mirë për të garuar atje. Nuk do të shkojmë atje për pushime”.

Van Dijku kishte luajtur në Camp Nou një herë, për Celticun në fazën e grupeve të sezonit 2013/14 të Ligës së Kampionëve. Kapiteni holandez e ka shikuar videon me pjesët më të mira të paraqitjes së Messit në atë ndeshje dhe e pranon se ajo disfatë 6:1 kundër Barcelonës shërbim si mësim i mirë për të. 

“Edhe unë i kam shikuar disa video, por nëse je duke pësuar disfatë 6:1, atëherë, si mbrojtës, nuk mund të thuash që ke luajtur mirë. Gjëja e mirë për mua është që kam mësuar shumë nga ajo natë dhe kjo më ka ndihmuar. Mendoj se këtë herë do të jetë plotësisht ndryshe me herën e kaluar”.

(Kosova Sot)