Pogba apo Erikssen, cili më afër Real-it?

  • 01 May 2019 - 18:16
Pogba apo Erikssen, cili më afër Real-it?

Paul Pogba mbetet prioritet i merkatos për trajnerin e Realit Zinedine Zidane. Drejtuesit e klubit “merengues” duken më të bindur se kurrë për të tentuar një operacion që do të kënaqte trajnerin e tyre. Sidoqoftë, siç thotë një shprehje e urtë, “nga thëna në të bërë, është në mes një det i tërë” dhe në këtë rast dëshira nuk është se shkon në të njëjtin kah me realitetin, për më tepër që situata e mesfushorit të “Djajve të Kuq” i ka të gjithë elementët për t’u shndërruar në telenovelën e re të kësaj merkatoje verore.

Nga njëra anë qëndron paga e lartë e lojtarit, nga ana tjetër agjenti i tij, Mino Raiola, me të cilin presidenti Florentino Perez mund të thuhet se nuk ka marrëdhënie të mire, përkundrazi. Së fundmi, duhet bindur Manchester United për këtë transferim, pasi “Djajtë e Kuq” kanë shpenzuar plot 120 milionë euro për ta transferuar në “Old Trafford”, ku në bazë të kontratës duhet të qëndrojë deri në vitin 2021.

Të vetëdijshëm për terrenin e vështirë ku kërkojnë të shkelin, “Los Blancos” janë duke menduar disa alternativa, që mund të linin të kënaqur trajnerin Zidane, ku spikat emri i Christian Eriksenit të Tottenhamit. Mediet spanjolle e japin të sigurt arritjen e marrëveshjes paraprake mes klubit madrilen dhe lojtarit danez, por edhe në këtë rast mbetet për t’u arritur dakordësia me Hotspur.

(Kosova Sot)