Përkundër gabimeve, De Gea do të jetë titullar sërish për Man Unitedin

  • 03 May 2019 - 15:20
Përkundër gabimeve, De Gea do të jetë titullar sërish për Man Unitedin

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, po i qëndron besnik David de Geas, i cili do të jetë titullar edhe për ndeshjen kundër Huddersfieldit, përkundër gabimeve që i ka bërë në ndeshjet e fundit.

David de Gea, i cili konsiderohej nga shumë persona si portieri më i mirë në botë, i ka bërë disa gabime jotipike gjatë kohëve të fundit. Për shkak të këtyre gabimeve, pozita e tij si portier i parë i “Djajve të kuq” është vënë në dyshim.

Një goditje e Lionel Messit rrëshqiti nën David de Gean gjatë përballjes mes dy klubeve në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e radhës, ai i pranoi katër gola nga lojtarët e Evertonit. 

Pastaj, Leroy Sane e mposhti De Gean me një goditje të lehtë në derbin e Mançesterit. Goditjet e tilla zakonisht pritet që të mbrohen nga portieri. Për më tepër, edhe njëri gol i Chelseat i shtoi kritikat ndaj portierit spanjoll.

Për shkak të këtyre gabimeve, Ole Gunnar Solskjaerit i është kërkuar që të luajë me një portier tjetër për dy ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit të Premierligës, mirëpo trajneri norvegjez nuk e ka pranuar këtë opsion.

“A do të luajë De Gea? Po, ai do të luajë. Sergio Romero ishte i lënduar dje, kështu që nuk mori pjesë në stërvitje, ai e lëndoi gjurin, kështu që Davidi ka qenë duke u stërvitur gjatë gjithë javës”, ka thënë Solskjaer.

“Ai ka qenë fantastik këtë sezon. Gjatë kohës së fundit, ai ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për arsyet e gabuara, mirëpo ai duhet të përballet me këtë gjë”. 

“Atë që e diskutojmë mes vete, nuk kemi nevojë t’ua themi të gjithëve nëse është pozitive apo negative. Davidi ka besim në vete dhe ai mezi po i pret këto dy ndeshjet e radhës, ai dëshiron ta dëshmojë sa i mirë është. Për shkak të paraqitjeve gjatë viteve të fundit, Davidi e ka të gjithë besimin tim”.

(Kosova Sot Online)