"Danezi i çmendur" shtyn Eriksen te Reali: Mos t'i trembet fatit të Coutinho te Barça!

  • 03 May 2019 - 16:02

Disa muaj pas botimit të biografisë së tij, Thomas Gravesen, i njohur me nofkën "“danezi i çmendur”, kthehet në media, duke folur për nënshkrimin e mundshëm të Christian Eriksen me Real Madridin, klub në të cilin ka qenë edhe vetë për një sezon. Ish-futbollisti danez u intervistua nga “Ekstra Bladet” dhe e shtyu objektivin e ri të Zinedine Zidane për në “Bernabeu”. Të mërkurën u raportua nga mediat se Eriksen, që ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2020, ka arritur një marrëveshje verbale me të bardhët.  

"Unë gjithmonë kam thënë se Eriksen duhet të mendojë me kujdes për klubin që do të zgjedhë në vijim të karrierës. Fatmirësisht, ai mund të zgjedhë secilin klub në botë. Nuk ka skuadër, ku nuk mund të luajë Christian dhe të mos paraqitet shkëlqyeshshëm. Do të jetë diçka e madhe të shohim një tjetër danez te Real Madridi. Ai ka talent për atë fanellë, do të jetë nën krahët e Zidane, në një klub të madh, por që është në procesin e rindërtimit si skuadër.

A është koha më e mirë për të shkuar në Madrid? Unë nuk e di nëse ka një moment, që është më i mirë se një tjetër. Eriksen e di mirë se çfarë mundet dhe duhet të bëjë. Kur çmimi i një lojtari të kalibrit të tij është kaq i lartë dhe Real Madridi është gati ta paguajë atë, kjo ka vetëm një shpjegim: Zidane synon ta ndërtojë skuadrën e tij rreth Eriksen. 

Krahasimi me Coutinho? Rreziku ekziston kudo në jetë. Mund të ndodhë ndonjëherë, që të përfundoni si Philippe Coutinho, i cili nuk ka luajtur shumë te Barcelona. Sidoqoftë, nëse Real Madridi shpenzon kaq shumë miliona për të blerë Eriksen, kjo nënkupton se ka një plan të qartë me të. A duhet të transferohet në Madrid? Unë besoj se ky është rasti. Ne do të jemi krenarë, që të kemi një lojtar danez në atë klub”.

(Kosova Sot Online)