Plani 540 milionësh i Real Madridit për këtë verë

  • 03 May 2019 - 16:12
Plani 540 milionësh i Real Madridit për këtë verë

Pasi i pagoi 50 milionë euro për Eder Militaon, Real Madridi i ka identifikuar pesë lojtarë të tjerë që dëshiron t’i ketë në skuadër. Për këtë arsye, kjo verë premton të jetë mjaft e shtrenjtë për madrilenët.

Nëse Real Madridi dëshiron t’i shtyjë përpara planet ambicioze për të bërë revolucion në skuadër këtë verë, ata do të duhet të paguajnë mbi 500 milionë euro, shkruan AS.

Trajneri Zinedine Zidane u ul me zyrtarët e klubit dhe së bashku ata i identifikuan pesë lojtarë – Paul Pogban, Eden Hazardin, Christian Eriksenin, Tanguy Ndombele dhe Luka Jovic – të cilët duan t’i transferojnë gjatë verës, si shtesë ndaj Militaos.

Real Madridi është i vetëdijshëm që shpenzimi më i madh dhe më i komplikuari do të jetë Paul Pogba, për të cilin Manchester Unitedi i kërkon 150 milionë euro për francezin. Ndërsa, Chelsea i dëshiron 112 milionë euro për Hazardin, përkundër që kontrata e belgut përfundon në vitin 2020.

Edhe kontrata e Eriksenit me Tottenhamin do të përfundojë pas 12 muajve, mirëpo klubi londinez i kërkon 100 milionë euro për të. Real Madridi është i gatshëm të paguajë vetëm deri në 85 milionë.

Së fundi, Lyoni besohet se i kërkon 80 milionë euro për mesfushorin 22-vjeçar Ndombele, ndërsa Eintracht Frankfurti i do 60 milionë për Jovicin.

Transferimi i këtyre pesë lojtarëve do t’i kushtonte Real Madridit 487 milionë euro plus 50 milionë eurot që tashmë janë paguar për Militaon. Kjo shumë është më e madhe sesa shuma e të gjithë transferimeve të pesë vjetëve të fundit, gjithsej 23 lojtarë të blerë.

(Kosova Sot)