Tirana-Skënderbeu me rekord unik, për Guinness!

  • 04 maj 2019 - 11:16
Tirana-Skënderbeu me rekord unik, për Guinness!

Tirana do të presë Skënderbeun sot prej orës 15:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Ekipi bardheblu duhet të fitojë me patjetër për të qëndruar në Superiore, ndërsa korçarët janë më pak të motivuar në këtë aspekt. Ekipi i trajnerit Orges Shehi luan për inerci, pasi pa një vendim nga CAS-i, ëndrra për Europë mbetet utopike. 

Takimi mes bardhebluve dhe “Ujqërve” ka një rekord mjaft interesant këtë sezon, të denjë për “Guinness”. Kryeqytetasit dhe juglindorët në 4 ndeshje që kanë luajtur sivjet (duke përfshirë dhe këtë të sotmen) 3 sfida kanë qenë pa praninë e tifozëve. “Selman Stërmasi” do të jetë memec sot, pasi tifozët bardheblu janë dënuar. 

Ndeshja e fazës së parë e luajtur në Korçë (1-1) më 22 shtator nuk u luajt me tifozeri, pasi Skënderbeu ishte i dënuar. Tirana i mori hakun korçarëve në sfidën e fazës së dytë (1-1) kur “Selman Stërmasi” ishte i dënuar më 24 nëntor. Takimi i vetëm që është luajtur me tifozeri ka qenë ai i fazës së tretë që u zhvillua në Korçë (1-2) më 22 shkurt.

Sfida Tirana-Skënderbeu këtë sezon mund të ketë qenë një rast unik jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë. Dënime të tilla dënojnë dhe financat e klubeve, duke ditur që të dy këta ekipe kanë tifozeri të zjarrta dhe ndeshja konsiderohet si një klasike e futbollit shqiptar.

 

(Kosova Sot Online)