Conte po rishikon propozimin e Interit pas bisedave me Marottan

  • 04 May 2019 - 13:07
Conte po rishikon propozimin e Interit pas bisedave me Marottan

Trajneri italian, Antonio Conte thuhet se po rishikon propozimin e Interit, pasi puna te Roma duket se do t’i besohet Jose Mourinhos.

Interi dhe Roma po vazhdojnë të planifikojnë për sezonin e ardhshëm dhe duket se janë në një vijë të ngjashme kur bëhet fjalë për opsionet e menaxhimit.

Sipas gazetës franceze L’Equipe, Roma ka vendosur në tavolinë një marrëveshje trevjeçare për Mourinhon, por ai do ta pranonte vetëm nëse ata kualifikohen në Ligën e Kampionëve.

Në rast se trajneri portugez pranon punën te Roma atëherë Conte do të shtyhej në drejtim të punës së trajnerit te Interi.

Gazeta italiane La Repubblica pretendon se drejtori i Interit, Beppe Marotta u takua me Conten këtë javë dhe i kërkoi atij të priste për disa javë dhe të mos nënshkruante me asgjë ekip tjetër.

Kjo për shkak se presidenti i Nerazzurrëve, Steven Zhang, është i gatshëm të japë dritën e gjelbër për Conten dhe për një fushatë të madhe transferimesh për të forcuar skuadrën.

Në rast se trajneri italian nënshkruan me Interin atëherë kontrata e tij do të jetë e vlefshme për tri vite

(Kosova Sot Online)