“Liverpool duhet të marrë trofe edhe nëse përfundon i dyti”

  • 07 May 2019 - 12:53
“Liverpool duhet të marrë trofe edhe nëse përfundon i dyti”

Një tifoz i Liverpoolit telefonoi në emision e talkSport mbrëmjen e së hënës, duke thënë se klubi i tij i preferuar duhet të fitojë një trofe edhe nëse përfundon në pozitën e dytë në tabelën e Premierligës.

Përkundër që i ka grumbulluar 94 pikë këtë sezon të Premierligës, Liverpooli nuk pritet ta fitojë titullin e Premierligës.

Kjo shifër është më e madhe sesa numri më i madh i pikëve që Sir Alex Fergusoni kishte arritur t’i fitonte brenda një sezoni gjatë karrierës së tij në Manchester United. 94 pikë nuk i kishte arritur as Arsenali në vitin 2003/04, kur ishte shpallur kampion pa e humbur asnjë ndeshje gjatë sezonit.

Megjithatë, Liverpooli e gjen veten pas Manchester Cityt të Pep Guardiolës, që kanë qenë të pandalshëm në pjesën e dytë të sezonit. Gjatë vitit 2019, “Cityzens” i kanë fituar 48 nga 51 pikët e mundshme.

Manchester City e gjen veten në vendin e parë në tabelën e Premierligës, me vetëm një pikë më shumë sesa Liverpoolit dhe me vetëm një ndeshje të mbetur deri në fund të sezonit. Kjo garë e ka lënë të zemëruar një tifoz të Liverpoolit, të quajtur Cameron.

“Ka qenë një garë shumë e ngushtë. Mendoj se ne duhet ta marrim trofeun edhe nëse përfundojmë në pozitën e dytë. Si duhet të quhet trofeu? Fituesit e Përbashkët të Premierligës”, ka thënë Cameron.

“Epo, mirë… ndoshta jo Fituesit e Përbashkët. Nuk kemi nevojë t’i lëmë emër fare trofeut, vetëm t’ia japim atë Liverpoolit”.

“Ne i kemi arritur 94 pikë, kjo është astronomike. Alex Fergusoni nuk i kishte arritur kurrë kaq shumë pikë. Ne e kemi fituar pesë herë titullin e Ligës së Kampionëve, çfarë ka bërë dikush tjetër ndonjëherë?”

“Ne po përballemi me këtë skuadër të Manchester Cityt, që ka shpenzuar kaq shumë para. Ne jemi edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me Barcelonën. Çfarë kanë ata? Finalen e FA Cup?”.

(Kosova Sot Online)