Harden, i mrekullueshëm kundër Warriors

  • 07 May 2019 - 15:46
Harden, i mrekullueshëm kundër Warriors

Çfarë rivaliteti mes Golden State Warriors dhe Houston Rockets në gjysmëfinale të Konferencën së Perëndimit në NBA! Do të luhen të paktën 6 përballje mes tyre për të mësuar skuadrën që do të kualifikohet e do të përplaset me fituesit e çiftit Blazers-Nugget.

Pasi humbën të dy takimet e para në “Oracle Arena”, Rockets, të udhëhequr nga James Harden, barazuan serinë në 2-2, duke triumfuar 112-108 edhe në sfidën e katërt të zhvilluar në “Toyota Center”, ku “Mjekroshi” më i famshëm i NBA-së u shfaq në versionin e tij më të mirë, duke shënuar plot 38 pikë, të cilave u shtohen edhe 4 asiste e 10 “rebound”.

Kampionët në fuqi të NBA, zhvilluan një periodë të parë të mirë, të cilën e mbyllën në epërsi, 25-28, por në minutat në vazhdim vendasit rritën ritmin, duke shkuar madje deri +17 pikë në fillim të periodës së tretë (77-60), një diferencë e mjaftueshme për të marrë një fitore shumë të rëndësishme, edhe pse në minutat e fundit Warriors tentuan, po pa sukses, të përmbysnin shifrat.

Shumë pranë kualifikimit në finalen e Lindjes Milwaukee Bucks, që triumfuan 101-113 në “TD Garden” ndaj Boston Celtics e tashmë kanë edhe avantazhin e fushës për t’i mbyllur llogaritë në sfidën e pestë, çka do t’i kualifikonte për herë të parë pas 18 vitesh në finale të konferencës.

Të gjithë basketbollistët e formacionit bazë të Celtics arritën numër dyshifror pikësh, të udhëhequr nga Kyrie Irving me 23 pikë, por kundër Bucks, e veçanërisht kundër Giannis Antetokounmpo, që e mbylli takimin me shifra të frikshme, me 39 pikë e 16 “rebound”, fitorja u kthye në “mission impossible”. Bostonit i nevojitet tashmë një mrekulli në “Fiserv Forum” të Milwaukee-t për të shpresuar kualifikimin. (Kosova Sot Online)