Mourinho e lavdëron Kloppin për suksesin kundër Barcelonës

  • 08 May 2019 - 10:21
Mourinho e lavdëron Kloppin për suksesin kundër Barcelonës

Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, i ka dhënë meritat Jurgen Kloppit për suksesin e mbrëmshëm të Liverpoolit kundër Barcelonës, në gjysmëfinalen e dytë mes dy skuadrave në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

“Nuk e prisja. Unë thash që asgjë nuk është e pamundur. Nëse ka një vend ku kjo gjë do të ishte e mundur, atëherë Anfieldi është një prej atyre vendeve ku e pamundura bëhet e mundur”, ka thënë Mourinho për BeIN Sports.

“Por, unë do të them se kjo “remontada” ka vetëm një emër: Jurgen. Mendoj se kjo s’ka të bëjë më taktikat apo filozofinë, por me zemrën dhe shpirtin që ai e ka krijuar te ky grup i lojtarëve”.

“Ata rrezikonin ta përfundonin një sezon fantastik pa pasur asgjë për të festuar, ndërsa tani janë vetëm një hap larg të shpallurit kampionë të Evropës. Sot, gjithçka ka të bëjë me mendësinë e Jurgenit”.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi. 

(Kosova Sot Online)