Barcelona u frikësua nga Anfieldi dhe Liverpooli

  • 08 May 2019 - 17:51
Barcelona u frikësua nga Anfieldi dhe Liverpooli

Ish-trajneri i Liverpoolit, Gerard Houllier, beson se Barcelona u frikësua nga atmosfera në Anfield dhe si dhe nga vetë skuadra e Liverpoolit të martën mbrëma.

Liverpooli bëri rikthimi historik, pasi e kishte humbur 3:0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Camp Nou, duke e mposhtur 4:0 Barcelonën në ndeshjen e kthimit në Anfield.

Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum secili me nga dy gola e dërguan Liverpoolin në finale të Ligës së Kampionëve për vitin e dytë radhazi.

Houllier, i cili e udhëhoqi Liverpoolin drejt lavdisë në UEFA Cup më 2001, duke e mposhtur gjigantin katalonas në gjysmëfinale, pohon e kishte ditur se Liverpooli do ta bënte rikthimin magjik dhe se Anfield do të ndikonte te lojtarët e Barçës.

“Nuk e di përse por e kisha një ndjesi se Liverpooli do të shkonte në finale, madje pas ndeshjes së parë në Barcelonë”, tha Houllier për TalkSPORT.

“Ata ishin të pafat në Camp Nou dhe ky ekip është disi i veçantë dhe unë ndieja se do të kalonin tutje”, shtoi ai.

“Sapo e shënuan golin e parë e dija se do të kalonin tutje. Ata ishin praktikisht të papërmbajtshëm gjë që i bën kundërshtarët të frikësohen. Pas golit të fundit, Barcelona mbeti e ngrirë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)