Shaqiri: E di çfarë do të thotë ta fitosh Ligën e Kampionëve, dua ta fitoj për herë të dytë

  • 08 May 2019 - 19:01
Shaqiri: E di çfarë do të thotë ta fitosh Ligën e Kampionëve, dua ta fitoj për herë të dytë

Xherdan Shaqiri synon ta arrijë lavdinë në Ligën e Kampionëve për herë të dytë, pasi i ndihmoi Liverpoolit ta bëjë të mundur njërin prej rikthimeve më të mëdha kundër Barcelonës për ta arritur finalen e dytë në karrierën e tij.

Përfaqësuesi kosovar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ishte titullar për të kuqtë për herë të parë që prej janarit, dhe bëri një asist në fitoren 4:0 të Liverpoolit ndaj Barcelonës në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Anfield.

Skuadra e Jurgen Kloppit kalon në finalen e Madridit, pas rezultatit të përgjithshëm 4:3 pas dy ndeshjeve, ku do të takohet me Ajaxin ose Tottenhamin.

Shaqiri e ka fituar Ligën e Kampionëve më parë, me Bayern Munichun në vitin 2013, dhe pas ndeshjes të martën ai foli për dëshirën e tij për ta shtuar edhe një medalje në koleksionin e tij.

“Unë e di si është ta fitosh këtë trofe. Është më i miri që mund ta fitosh. Kjo është arena e futbollit në Evropë, të gjithë të shikojnë, të gjithë e duan këtë trofe”, tha Shaqiri.

“dua ta fitoj atë për herë të dytë. Jemi në finale dhe dua ta fitoj me Liverpoolin. Pas kësaj që bëmë ndaj Barcelonës, ne duam ta fitojmë trofeun. Ama rruga ende është e gjatë”, shtoi kosovari.

“Është e vështirë të shpjegohet çfarë ndodhi në ndeshje. E pabesueshme! Paraqitje e pabesueshme, atmosferë e pabesueshme”, theksoi ai.

(Kosova Sot)