Shaqiri ‘spiunon’ çfarë ndodhi te Liverpool

  • 08 May 2019 - 21:34
Shaqiri ‘spiunon’ çfarë ndodhi te Liverpool

Xherdan Shaqiri ka rrëfyer se si dhoma e zhveshjes së Liverpool u përmbyt nga lotët e gëzimit të derdhur nga “Të Kuqtë” pas përmbysjes së Barcelonës me rezultatin 4-0, për të siguruar kualifikimin për në finalen e Champions League.

Në një mbrëmje të tejmbushur emocionalisht në “Anfield”, skuadra, mes futbollistëve, stafit dhe drejtuesve kanë festuar si një të vetëm me tifozët. Shumë prej “Të Kuqve” ishin dukshëm të mallëngjyer nga kjo eksperiencë, duke mos u përmbajtur as në public, ndërsa të tjerë kanë shpërthyer në lot në dhomat e zhveshjes.

“Çmenduri. Të gjithë ishin të shokuar. Sikur të mos e besonin. Ne po festonim, disa prej djemve po qanin. Unë? Jo! Jam vetëm i lumtur, shumë i lumtur që ndihmova skuadrën. Arritëm diçka special. Nuk ishte trajneri ai që ndryshoi gjërat. Ai thjesht na tha të performonim dhe të vazhdonim”, deklaroi Shaqiri.

“E dimë që të gjithë na kishin fshirë nga lista, për shkak të rezultatit në ndeshjen e parë. Ishte një performancë e jashtëzakonshme. Tifozët na shtynë përtej limiteve. Ata nuk na lejuan të ndalnim. Shtë e vështirë të shpjegosh çfarë ndodhi në lojë. Morëm atë që na takonte, çfarë mbrëmje e pabesueshme, mbase më e mira që ka ekzistuar ndonjëherë”, vijoi Shaqiri.

(Kosova Sot Online)