Paratë po e vonojnë transferimin e De Ligtit në Barcelonë

  • 10 May 2019 - 10:17
Paratë po e vonojnë transferimin e De Ligtit në Barcelonë

Transferimi i mundshëm i Matthijs de Ligtit në Barcelonës ka ngecur për shkak se menaxheri i futbollistit, Mino Raiola, dëshiron t’i marrë 20 për qind të çmimit të lojtarit për vete.

As Barcelona e as Ajaxi nuk janë të shqetësuar për këtë kërkesë të Mino Raiolas, pasi që dy klubet tashmë janë pajtuar për çmimin e transferimit të Matthijs de Ligtit, 70 milionë euro.

Por, menaxheri i famshëm, Raiola, dëshiron t’i marrë 20 për qind të kësaj shume, apo 14 milionë euro, për vete. Kjo shumë është shumë më e madhe sesa përqindja e zakonshme e agjentëve, të cilat marrin pesë deri në dhjetë për qind.

Pasi që Ajaxi e di se qendërmbrojtësi holandez e dëshiron transferimin në Camp Nou – ku mund të bashkohet sërish me bashkëlojtarin e tij aktual në Ajax, Frenkie de Jongun – klubi holandez nuk është i gatshëm t’i humbë ato 14 milionë euro.

Për shkak të qëndrimit të Ajaxit, Raiola po shpreson se do ta gjejë një tjetër klub që bën ofertë më të mirë për De Ligtin dhe pranon t’ia paguajë atij 20 për qind të parave. Njëri ndër këto klube besohet se është Manchester Unitedi.

Klubi holandez dëshiron ta arrijë marrëveshjen për shitjen e De Ligtit sa më parë, në mënyrë që të investojë për rindërtimin e skuadrën.

Edhe drejtori ekzekutiv i Ajaxit, Edwin van der Sar, ka bërë të ditur se ndeshjet e mbetura të këtij sezoni do të jetë të fundit për Matthijs de Ligtin në Holandë, pasi që ai do të transferohet ose në Premierligë ose në La Liga.

“Mendoj se kjo do të jetë ndeshja e fundit e De Ligtit me Ajaxin, por shpresoj që ai do të largohet me ndonjë sukses. Ai ka qenë këtu që kur ishte fëmijë dhe do të shkojë në ndonjë klub të madh”, u shpreh Van ser Sar, i cili konsiderohet legjendë e Manchester Unitedit.

“Mendoj se ai do të shkojë ose në Angli, ose në Spanjë”.

Kapiteni i Ajaxit i ka bërë 53 paraqitje këtë sezon dhe gjatë tyre i ka shënuar shtatë gola, përfshirë këtu golin e fitores në ndeshjen kthyese kundër Juventusit, që i kualifikoi holandezët në gjysmëfinale. De Ligti i ka asistuar edhe katër gola të tjera. 

(Kosova Sot Online)