Juventus “peshkon” në Portugali, 60 milionë euro për mbrojtësin e Benfica

  • 10 May 2019 - 17:33
Juventus “peshkon” në Portugali, 60 milionë euro për mbrojtësin e Benfica

Juventus nuk heq dorë nga tregu portugez dhe në shënjestër të bardhezinjve është vënë mbrojtësi 21-vjeçar Ruben Dias, që luan me skuadrën e Benfica. Vlera e kartonit të lojtarit është 60 milionë euro, një shumë e konsiderueshme për një lojtar të moshës së tij, por që cilësohet si një talent. Në gjurmën e lojtarit janë vënë edhe Manchester United e Atletico Madrid, ndaj pritet një ankand i fortë për të në merkaton e verës.

Dias është një nga të rinjtë e skuadrës së Benfica që kanë tërhequr vëmendjen këtë sezon. Juventus ka kohë që është vënë në gjurmët e tij edhe pas sinjalizimit që ka marrë nga Cristiano Ronaldo. Për këtë arsye, drejtori sportiv Fabio Paratici e ka ndjekur nga afër lojtarin në disa ndeshje. Pavarësisht çmimit të lartë, bardhezinjtë vazhdojnë të monitorojnë situatën e lojtarit, kontrata e të cilit me Benfica skadon në vitin 2023.

Juventus është në kërkim të një mbrojtësi qendre të ri dhe të talentuar, duke qenë se Chiellini e Bonucci janë thuajse në fund të karrierës së tyre. Gjithsesi, Ruben Dias nuk është mbrojtësi i vetëm që Juventusi është duke monitoruar, teksa edhe disa lojtarë që luajnë në Serinë A janë nën shënjestrën e bardhezinjve për merkaton e verës.

(Kosova Sot Online)