Autoambulanca pa shofer, mjeku detyrohet ta vozisë lojtarin e lënduar në derbin Prishtina – Llapi

  • 11 May 2019 - 17:45
Autoambulanca pa shofer, mjeku detyrohet ta vozisë lojtarin e lënduar në derbin Prishtina – Llapi

Futbollisti Valmir Veliu i Llapit ka pësuar lëndim të rëndë në përballjen kundër Prishtinës, e cila po zhvillohet për momentin në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së 31-të Ipko Superligës së Kosovës.

Valmir Veliu mbeti i lënduar në minutën e 33-të ndeshjes, pas një përplasjeje me Diar Miftarajn e Prishtinës dhe pastaj u dërgua në spital, pasi mori trajtim nga stafi mjekësor edhe në fushën e lojës.

Mirëpo, një gjë që vërehet është se në mungesë të shoferit, një mjek u detyrua ta vozisë autoambulancën, për ta dërguar Veliun në spital.

Prishtina dhe Llapi janë në luftë të rreptë për titullin e kampionit të Kosovës, bashkë me Feronikelin.

Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit, Feronikeli kryeson me vetëm dy pikë më shumë sesa Prishtina e Llapi, që kanë pikë të barabarta.

Derisa këtë javë Prishtina takohet me Llapin, një javë më vonë Llapi e pret Feronikelin. Kurse, në xhiron e fundit, Prishtina do ta vizitojë Feronikelin në Drenas.

Ky orar dhe gjendja aktuale e tabelës e bën kampionatin kosovar ndër më interesantët në Evropë.

 

(Kosova Sot Online)