Baseli nuk llogarit te Zhegrova, lihet jashtë skuadrës

  • 12 May 2019 - 16:09
Baseli nuk llogarit te Zhegrova, lihet jashtë skuadrës

Edon Zhegrova është lënë në shtëpi nga trajneri Marcel Koller për ndeshjen derbi të Baselit kundër kampionit në të Zvicrës, Young Boys. Kjo është hera e tretë që kosovari nuk ftohet fare në skuadër nga Koller.

Tri javë para përfundimit të sezonit 2018/19 në Superligën e Zvicres, në një periudhë kur Baseli ka kohë që e ka siguruar kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, anësori kosovar është lënë në shtëpi nga Marcel Koller.

Basel e viziton sot Bernin për t’u përballur me kampionin e porsashpallur të Zvicrës, Young Boys, në një ndeshje për prestigj, duke ditur që tri javë para fundit të sezonit gjithçka është vendosur në Superligë.

Përfaqësuesi i Kosovës është pritur të jetë të paktën pjesë e skuadrës që ka udhëtuar drejt Bernit, por kjo nuk është hera e parë që ai nuk ftohet fare.

Ai nuk u ftua as ndaj St. Gallen në shkurt dhe ndaj Luzernit në mars.

Edoni i ka vetëm dy paraqitje si titullar për Baselin që prej huazimit të tij nga Genku në fillim të shkurtit. Në total, ai i ka bërë vetëm gjashtë paraqitje, përfshirë katër nga banka e rezervistëve. Ndërsa pesë herë tjera është lënë në stol.

Ai ka dështuar të shënojë gol apo të ofrojë asist në gjashtë paraqitjet e tij për Baselin. 22-vjeçari është i huazuar nga Genku në Basel në bazë të një marrëveshjeje të arritur në shkurt mes palëve.

Në bazë të marrëveshjes, Baseli e ka mundësinë për ta blerë kosovarin për rreth 1.5 milionë euro në fund të këtij sezoni, por sipas mediave zvicerane, klubi zviceran do ta kthejë Zhegrovën në Genk në qershor.

Ndeshjet e fundit të Superligës zvicerane kanë qenë vendimtare për të ardhmen e Zhegrovës, por kosovari është aktivizuar vetëm 172 minua në total, duke mos bindur.

Image

(Kosova Sot Online)