“Pogba i bën lojtarët e Man Unitedit më të dobët”

  • 14 May 2019 - 09:25
“Pogba i bën lojtarët e Man Unitedit më të dobët”

Paul Pogba bën që lojtarët përreth tij në Manchester United të jenë më të dobët, thotë Liam Rosenior, edhe pse ai beson se francezi është futbollist i klasit botëror, që përshtatet me një stil tjetër të futbollit.

Mesfushori francez kishte marrë kritika dhe ofendime nga tifozët pasi Manchester Unitedi pësoi disfatë me rezultat 2:0 kundër Crystal Palace në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në Premierligë. Manchester Unitedi mbeti në vendin e gjashtë dhe sezonin tjetër do të luajë në Ligën e Evropës

Edhe pse Pogba e pati sezonin e tij më të mirë me fanellën e Manchester Unitedit, duke i shënuar 16 gola dhe asistuar 11 të tjera, paraqitjet e tij kanë bërë që ai shpeshherë të kritikohet për mungesën e vullnetit në ndeshjet e “Djajve të kuq” ashtu siç ishte për Francën gjatë verës, kur e fitoi titullin e Kupës së Botës.

Ish-mesfushori i Hull Cityt, Liam Rosenior, beson se karakteri i Pogbas nuk përshtatet me Manchester Unitedin dhe se stili i tij e bën të vështirë punën për bashkëlojtarët e tij.

“Pogba nuk është lloji i lojtarit që i duhet Manchester Unitedit për momentin. A është ai futbollist i klasit botëror? Po. A është ai lloji i lojtarit që mund ta bësh lider të skuadrës? Jo, nuk është”, ka thënë Rosenior.

“Ai thjesht nuk është i përshtatshëm. Pogba i bën lojtarët përreth vetes lojtarë më të dobët sepse ata vazhdimisht duhet t’i plotësojnë hapësirat që ai i lë bosh në fushë”. 

(Kosova Sot Online)