Lojtarët e Man Cityt e tallin Liverpoolin me një këngë

  • 15 May 2019 - 08:13
Lojtarët e Man Cityt e tallin Liverpoolin me një këngë

Lojtarët e Manchester Cityt janë filmuar duke e përqeshur Liverpoolin, gjatë kohës sa po e festonin triumfin e vet në Premierligë.

Në pamjet e publikuara online shihet disa lojtarë të Manchester Cityt duke e kënduar një parodi të këngës “Allez Allez Allez”, të cilën tifozët e Liverpoolit e krijuan në rrugëtimin e tyre drejt finales së Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Në versionin e Citizens, futbollistët e Pep Guardiolës i referohen skuadrës së Jurgen Kloppit si viktima dhe këndojnë: “Kompany e lëndoi Salahun”.

Kjo video ka ngjallur një debat të madh, pasi që futbollistët po akuzohen se janë treguar të pamatur.

Skuadra e Pep Guardiolës e siguroi titullin kampion pasi fitoi me rezultat 4:1 kundër Brightonit në ditën e fundit të sezonit, duke i dhënë fund një betejë të zjarrtë për titull me Liverpoolin, që e përfundoi sezonin vetëm me një pikë më pak sesa rivali.

Manchester City e ngriti lart trofeun në stadiumin ‘Amex”, por pastaj udhëtuan menjëherë me aeroplan në Mançester për t’i vazhduar festimet në stadiumin e tyre, “Etihad”.

Pikërisht në këtë fluturim, lojtarët e Manchester Cityt u xhiruan duke u tallur, sipas Metros.

Pjesa për Kompanyn i referohet ndërhyrjes së ashpër të mbrojtësit belg ndaj Salahut në fitoren 2:1 të Manchester Cityt kundër Liverpoolit në janar.

Teksti i këngës që këndohet nga lojtarët e Cityt:

E gjithë rruga për në Kiev,

Vetëm që t’i japin fund me humbje,

Duke qarë në tribuna,

Dhe të shkatërruar në rrugë,

Kompany e lëndoi Salahun,

Viktimat e gjithçkaje,

Sterlingu i fitoi dy tituj,

Scousers nuk fituan asgjë

Allez, Allez, Allez

Allez, Allez, Allez

(Kosova Sot Online)