Guardiola zgjidhet sërish trajneri i vitit në Premierligë

  • 15 May 2019 - 08:56
Guardiola zgjidhet sërish trajneri i vitit në Premierligë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është emëruar trajneri i sezonit në Premierliga, nga Shoqata e Trajnerëve të Ligës.

48-vjeçari Pep Guardiola e ka fituar këtë çmim për të dytin sezon radhazi, pasi arriti ta drejtojë skuadrën e tij me sukses në garën për titullin e Premierligës, këtë herë kundër Liverpoolit.

Nën drejtimin e Guardiolës, “Citizens” e arritën një shifër mjaft të lartë të pikëve, gjithsej 98. Kjo është shifra e dytë më e mirë e arritur ndonjëherë në Premierligë dhe kalohet vetëm nga rekordi që Guardiola me skuadrën e tij e vendosën sezonin e kaluar.

Pasi arriti ta udhëzojë Manchester Cityn drejt titullin të dytë radhazi, Guardiola është njëri ndër vetëm tre trajnerët në histori të Premierligës që kanë arritur ta mbrojnë titullin kampion, pas Sir Alex Fergusonit dhe Jose Mourinhos.

Kjo mjaftoi që trajneri i Manchester Cityt t’i lë prapa vetes kundërshtarët e tij për këtë çmim, si Jurgen Klopp i Liverpoolit, Mauricio Pochettino i Tottenhamit dhe Nuno Espirito i Wolves.

“Është një nder për mua që ta marrë këtë çmim. Dua ta ndaj atë me lojtarët e mi sepse ata janë artistët dhe gjithçkaje, me stafin tim sepse ne luftuam kundër të gjithë trajnerëve në Premierligë, veçanërisht Jurgen Kloppit, një kundërshtar i mrekullueshëm deri në fund”, ka thënë Guardiola.

“Ishte kënaqësi të luaja kundër të gjithë tyre dhe shpresoj se do të kemi beteja shumë të mëdha përsëri për ta fituar edhe një tjetër titull të jashtëzakonshëm”.

Në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli, trajneri i sezonit u zgjodh Chris Wilder, i cili e drejtoi klubin në pozitën e dytë në tabelë, Sheffield Unitedin.

Image

Në anën tjetër, në Ligën e Parë, nivelin e tretë të futbollit në Angli, çmimi i shkoi Mick Harfordit që e fitoi titullin me Luton Town. Ndërsa, në Ligën e Dytë, nivelin e katër të futbollit në Angli, trajneri i sezonit u zgjodh Danny Cowley, që e fitoi titullin me Lincoln Cityn. 

(Kosova Sot Online)