Robbeni e pranon se mund të pensionohet në fund të sezonit

  • 15 May 2019 - 10:29
Robbeni e pranon se mund të pensionohet në fund të sezonit

Arjen Robben e ka pranuar se nuk e përjashton mundësinë e pensionimit nga karriera si futbollist profesionist pasi të largohet  nga Bayern Munichu, në fund të këtij sezoni.

Anësori 35-vjeçar pritet të largohet nga Allianz Arena pas një dekade dhe ai ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.

Problemet e vazhdueshme me lëndime ia kanë dëmtuar sezonin e fundit të Robbenit në Bavari, edhe pse ai prapëseprapë ka ngjallur interesim te disa klube si, Interi dhe ish-klubet e tij – PSV-ja dhe Groningeni.

Ish-fituesi i Ligës së Kampionëve kishte zbuluar në janar se ai kishte marrë oferta nga një numër i madh i klubeve në Evropë, mirëpo ende është duke i shqyrtuar të gjitha opsionet.

“Jam vonuar për ta marrë vendimin, por kjo ka të bëjë me lëndimin tim. Doja të kthehesha në fushën e lojës dhe pastaj të mendoj për të ardhmen time”, ka thënë Robbeni në një konferencë për shtyp të martën.

“Shpresoj se do të mund ta marrë vendimin përfundimtar brenda një apo dy javëve, por unë s’mund të premtoj asgjë”.

“Nuk është vendim i lehtë për t’u marrë. Gjithçka duhet të jetë e përsosur, jo vetëm sa i përket aspektit të futbollit, por edhe për familjen time”.

“Gjëja më e lehtë tani do të ishte që të ndalesha. Edhe ky është një opsion tjetër për mua, por nuk jam i sigurt nëse do ta bëj një gjë të tillë”. 

Robenni u kthye nga një lëndim i këmbës për ta bërë paraqitjen e tij të 700-të dhe ai do të largohet nga Bayerni me një titull të tetë të Bundesligës, nëse klubi bavarez e shmang disfatën kundër Eintracht Frankfurtit në ndeshjen e fundit të sezonit.

(Kosova Sot Online)