Arsenali i zhgënjyer, kërkon sqarim nga UEFA

  • 16 May 2019 - 12:31
Arsenali i zhgënjyer, kërkon sqarim nga UEFA

Arsenali i ka kërkuar sqarim UEFA-s, pasi klubi anglez e ka cilësuar të papranueshme vendimin për numrin e ulët të biletave në dispozicion për tifozët, për finalen e Ligës së Evropës.

Në finalen e këtij sezoni të Ligës së Evropës, më 29 maj, Arsenali do të përballet me klubin tjetër nga Londra, Chelseat. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për skuadrës e Unai Emeryt pasi që është mundësia e vetme për ta siguruar kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Edhe pse UEFA ia ka ndarë vetëm 6 mijë bileta tifozëve të Arsenalit për këtë ndeshje, klubi anglez ende s’ka arritur t’i shesë këto bileta pasi që tifozët po e kanë të vështirë të udhëtojnë në Azerbajxhan, ku do të zhvillohet finalja.

Çmimet e biletave për biletat e këtij udhëtimi janë mbi një mijë euro, duke bërë kështu që tifozët të duhet të paguajë më shumë për të udhëtuar në Baku sesa që paguajnë për disa bileta sezonale në ‘Emirates’.

Madje, në këtë çmim nuk përfshihet as shuma e parave që këta tifozë duhet ta shpenzojnë për të qëndruar në Baku dhe për nevojat e përditshme.

Për më tepër, disa tifozë po kanë probleme me Ministrinë e Punëve të Jashtme pasi që personave me nënshtetësi të dyfishtë, britanike dhe armene – u është mohuar kërkesa për vizë.

Marrëdhëniet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit mbeten të këqija për shkak se dy vendet nuk po arrijnë marrëveshje për regjionin Nagorno Karabakh.

Arsenali tani e ka lëshuar një deklaratë zyrtare për këtë situatë në klub, duke thënë se ka marrë shumë ankesa nga tifozët, të cilët po e kanë shumë të vështirë të udhëtojnë në Baku për ta përcjellë skuadrën e tyre të zemrës në finale të Ligës së Evropës.

“Të gjithë në Arsenali jemi të kënaqur që kemi arritur në finale të Ligës së Evropës dhe mezi po e presim ndeshjen finale kundër Chelseat, të mërkurën, më 29 maj”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Arsenali.

“Megjithatë, ne jemi shumë të zhgënjyer nga fakti se për shkak të transportit të limituar, UEFA i ka ndarë vetëm gjashtë mijë bileta për tifozët e Arsenalit, në një stadium me mbi 60 mijë ulëse. Koha do të tregojë nëse do të jetë e mundur për gjashtë mijë tifozë të udhëtojnë, për shkak të kushteve ekstreme”.

“Ne i kemi 45 mijë tifozë që kanë bileta sezonale dhe fakti që kaq shumë prej tyre do ta humbin këtë ndeshje, pasi UEFA e zgjodhi një vend që nuk ka kushte udhëtimi mjaftueshëm të mira, nuk është e drejtë”.

“Kemi marrë shumë kritika nga tifozët tanë për këtë çështje dhe e ndajmë plotësisht me ta këtë shqetësim”.

“Në emër të tifozëve tanë, ne duam t’i kuptojmë kriteret që janë përdorur për ta zgjedhur vendin organizues të finales së Ligës së Evropës. Ne e inkurajojmë UEFA-n që të sigurohen që organizime të tilla, të papranueshme, të mos përsëriten”.

(Kosova Sot Online)