Parashikimi i Neymarit për Liverpoolin në fillim të sezonit

  • 16 May 2019 - 12:45
Parashikimi i Neymarit për Liverpoolin në fillim të sezonit

Liverpooli ka qenë në formë mjaft mbresëlënëse këtë sezon, përkundër që nuk arriti ta fitojë titullin e Premierligës për një pikë. Njëri ndër personat që e kishte nënvlerësuar këtë skuadër të Liverpoolit në fillim ishte pikërisht Neymari.

Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, ishte pyetur në shtator të vitit të kaluar se si do të dukej top katërshja e tabelës së Premierligës në fund të sezonit 2018/19.

Neymari kishte parashikuar saktësisht se Manchester City do ta fitonte titullin e Premierligës këtë sezon dhe se Chelsea e Tottenhami do t’i merrnin pozitën e tretë dhe të katërt.

Megjithatë, ai kishte gabuar me parashikimin e tij se Manchester Unitedi do ta përfundonte sezonin në pozitën e dytë, duke e lënë kështu Liverpoolin jashtë top katërshes së Anglisë.

Liverpooli jo vetëm që përfundoi në pozitën e dytë në tabelën e Premierligës, mirëpo skuadra e Jurgen Kloppit i shkoi shumë afër titullit të kampionit, pasi që sezonin e përfundoi me vetëm një pikë më pak se lideri, Manchester City.

“Është shumë e vështirë, me të vërtetë është shumë e vështirë. Por, Manchester City do ta fitojë titullin, në pozitën e dytë do të jetë Manchester Unitedi, në të tretën Chelsea dhe në të katërtën Tottenhami”, kishte thënë Neymari.

Liverpooli gjithashtu ka arritur të kualifikohet për të dytën herë radhazi në finale të Ligës së Kampionëve, ku këtë sezon do të përballet me Tottenhamin më 1 qershor, në stadiumin e Atletico Madridit, Wanda Metropolitano.

(Kosova Sot Online)