Gladbach përgatit një dredhi ndaj Dortmundit

  • 17 May 2019 - 16:15
Gladbach përgatit një dredhi ndaj Dortmundit

Këtë fundjavë në Gjermani luhet java e fundit e Bundesligës dhe është koha të mësohet kampioni i ri i Gjermanisë, sepse Bayern e Dortmund janë vetëm 2 pikë larg njëri-tjetrit dhe në 90 minutat e fundit do të ketë emocione.

Interesante është se të dy rivalët për titull përballen me ekipe që luftojnë për një vend në Champions League: Dortmundi viziton Gladbachun e vendit të katërt, Bayern pret Frankfurtin e vendit të gjashtë, që ka vetëm një pikë më pak se Gladbach dhe Leverkusen.

Gladbach duhet të fitojë, duke shpresuar që Leverkusen të mos fitojë me goleadë, sepse golaverazhi është aty-aty, por ndërkohë të mundësh Dortmundin nuk është mision i lehtë, përtej vështirësive dhe presionit të madh që ka pasur skuadra e drejtuar nga Favre kohët e fundit.

Për këtë arsye, Gladbach po mundohet të shfrytëzojë çdo mundësi për të fituar ndonjë avantazh të vogël dhe ka gjetur një mënyrë të veçantë për të goditur moralisht Dortmundin.

Image

Gjatë ndeshjes në ekranet gjigantë të stadiumit do të shfaqen vetëm golat e shënuar nga Bayerni në ndeshjen e vet, ndërsa nuk do të lejohet njoftimi për golat e Frankfurtit, nëse do të ketë. Në këtë mënyrë, shpresohet që Dortmundi të dorëzohet psikologjikisht nga golat e mundshëm të Bayernit, edhe pse natyrisht është një manovër qesharake, sepse në stolin e Dortmundit të gjithë do të jenë të informuar çfarë ndodh në Mynih.

(Kosova Sot Online)