Zidane refuzon të flasë për të ardhmen e Bale

  • 18 May 2019 - 21:05
Zidane refuzon të flasë për të ardhmen e Bale

Gareth Bale do të kthehet në skuadrën e Real Madridit për ndeshjen e fundit të këtij sezoni, mirëpo trajneri Zinedine Zidane nuk ka pranuar të tregojë nëse kjo do të jetë ndeshja e fundit e uellsianit për klubin madrilen.

Sulmuesi uellsian nuk ka qenë i rregullt në formacionin e parë të Real Madridit këtë sezon, duke luajtur nga minuta e parë vetëm në 29 prej 42 paraqitjeve të bëra gjatë sezonin 2018/19.

Spekulimet për të ardhmen e Bale janë intensifikuar edhe më shumë tani që afati kalimtar i verës është hapur në Premierligë. Manchester Unitedi raportohet të jetë klubi me më së shumti interesim për të, mirëpo besohet se edhe Tottenhami dëshiron ta kthejë Bale në skuadër.

Bale, i cili iu bashkua Real Madridit në vitin 2013, mbeti jashtë skuadrës për ndeshjet e fundit, kundër Villarrealit dhe Real Sociedadit. Agjenti i tij, Jonathan Barnett, tha javën e kaluar se është e turpshme që klienti i tij s’po luan.

“Los Blancos” do ta presin Real Betisin në “Santiago Bernabeu” të dielën në ndeshjen e tyre të fundit për këtë sezon. Tashmë madrilenët e kanë siguruar pozitën e tretë, 18 pikë prapa lideres, Barcelonës.

Pasi që është përfshirë në skuadrën për ndeshjen e së dielës, Bale mund ta bëjë paraqitjen e tij të fundit para tifozëve madrilenë, nëse gjatë këtij afati kalimtar të verës vendos të transferohet në ndonjë klub tjetër.

“Bale do të jetë në listën e skuadrës nesër. Nuk do të them nëse ai do të luajë apo jo. Do ta shihni nesër. A mund të jetë kjo ndeshja e tij e fundit? Nuk e di, nuk mund të them”, është shprehur Zidane.

(Kosova Sot Online)